Populizmi që çoi në ndëshkimin e Vetëvendosjes brenda tetë muajsh

Zgjedhjet lokale në Kosovë i dhuruan një jo pak surpriza, qytetarët dhanë një leksion demokracie, si dhe ndëshkuan me votë qeverisjen e Vetëvendosjes të kryeministrit Albin Kurti.
Ndryshe nga herët e tjera kur fituesi në zgjedhjet lokale ishte partia në pushtet këtë herë tabloja ishte krejtësisht kundër. Vetëvendosja nuk fitoi asnjë komunë në raundin e parë dhe ato i fituan partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK.
Në 21 komuna që shkojnë në balotazh, 12 prej tyre janë kandidatëve të VV-së me ato të PDK-së, LDK-së apo dhe të AAK-së. Prishtina është qyteti më i rëndësishëm, ku do të ketë një betejë me Vetëvendosjes dhe LDK-së.
Rezultati i zgjedhjeve të 17 tetorit shkaktoi një tërmet për Vetëvendosjen, e cila 8 muaj më parë erdhi në pushet duke fituar mbi 50% të votave të qytetarëve që votuan ndryshimin dhe i besim premtimeve populiste të Albin Kurtit.
Këtë përgjysmim votash lideri i Vetëvendosjes u mundua ta fshinte me kujdes, duke u kapur në krahasimin e shifrave të zgjedhjeve lokale ndër vite dhe ato parlamentare, duke e cilësuar VV si një parti e parë në zgjedhje.
“Në zgjedhjet parlamentare: 12 dhjetor 2010 – Lëvizja VETËVENDOSJE! e treta në nivel vendi; 6 tetor 2019 – LVV e para; 14 shkurt 2021 – LVV mbi 50%.
Në zgjedhjet lokale: 3 nëntor 2013 – LVV e katërta në nivel vendi; 22 tetor 2017 – LVV e treta; 17 tetor 2021 – LVV e para. Ju faleminderit qytetarë të dashur. Vazhdojmë në raundin e dytë në 12 komuna më 14 nëntor 2021”, shkruan Kurti. Një qëndrim ndryshe, pasi Kurti përpara zgjedhjeve deklaronte se do t’i fitonte 3/4 e komunave në zgjedhjet e 17 Tetorit, por në fakt nuk mori asnjë në raundin e parë.
Por pse kjo rënie e Vetëvendosjes, me përgjysmim të votave në kaq pak muaj? Kjo lidhet me politikën që ka ndjekur Vetëvendosjes në këto 8 muaj në qeverisjen e saj. Tensionet e vazhdueshme në Veri të Kosovës, që çoi edhe në humbjen e komunës së Mitrovicës së Jugut, emërimet në institucionet ku shpeshherë po cilësohen si partiake dhe mos mbajtja e premtimeve gjatës fushatës së zgjedhjeve parlamentare mund të jenë faktorë e këtij rezultati.
Vevetëvendosja njihet si parti populiste me lëvizjen e saj dhe kjo ishte arsyeja se pse ajo erdhi në pushtet. Ekspertët shprehet se partitë populiste nuk ekzistojnë gjatë në politikë dhe se zgjedhësit janë të prirur t’i besojnë më tepër partive tradicionale që demonstrojnë një politikë të besueshme dhe afatgjatë. Nëse shkurti ishte referendum i Vetëvendosjes, 17 tetori është referendumi i popullit ndaj qeverisjes së Vetëvendosjes!/ Gazeta Shqip