Rama premton linjë direkte ajrore Tiranë-Kajro: Kemi rrënjë të thella miqësie

EGJIPT – Kryeministri Edi Rama ndodhet në Egjipt, ku është takuar me homologun e tij Moustafa Madbouly, me të cilin ka nënshkruar 3 marrëveshje të rëndësishme.
Gjatë konferencës së përbashkët, kryeministri Edi Rama theksoi se Egjipti i ka mirëpritur emigrantët shqiptarë, ndërsa premtoi edhe vendosjen e një linje direkte Tiranë-Kajro.
“Na takon ne të përpiqemi e të ndërtojmë për më mirë e të përpiqemi e të forcojmë marrëdhëniet tona. Dua t’ju falenderoj për disponibilitetin tuaj për të ecur para duke bërë bashkë një komision të përbashkët, duke identifikuar fushat tona të bashkëpunimit. Shifrat e tregtisë janë shumë modeste, ndërsa potenciali është i pranishëm. Kështu që marr me vete premtimin për t’u kujdesur personalisht për të vendosur linjën e drejtpërdrejtë të fluturimit midis Kajros dhe Tiranës dhe e anasjellta. Nga pala shqiptare ju siguroj që nuk do të jetë kurrë bosh. Kjo linjë ajrore do të ndihmojë shumë shqiptarë për të ardhur në këtë tokë dhe për të kuptuar që njëherë e një kohë ishte si dera e pasme e atdheut tonë”, tha Rama.
Më tej, Rama tha se muajin tjetër pritet që në Tiranë të zhvillohet një takim mbi çështjet ekonomike.
“Më lini të shpreh mirënjohjen time për mikpritjen që përcaktohet me ndjenjë e fortë të miqësisë. Po ashtu edhe për takimin me presidentin, të cilit dua ti shpreh publikisht falënderimet. Është një nder dhe krenari të gjendem këtu dhe të flas për këtë rrënjë të miqësisë sonë të gjatë. Nuk dua të flas për të shkuarën apo shtigjet që Muhamet Ali hapi, por do të thoja pak fjalë për pjesën tjetër që për shkak të figurës së tij që ishte imponuese, ndonjëherë ka mbetur pak në hije. Rrethuar nga gjeneralë e komandantë, Muhamed Ali i kushtoi një rrugë të tërë punonjësve shqiptarë. Egjipti mirëpriti shumë shqiptarë, emigrantë nga Shkodra, pa harruar Korçën dhe e bëri me të njëjtën hapësi me të cilën priti italianët, grekët apo francezët. Më duhet të them se shqiptarët qoftë të myslimanë apo të krishterë ishin administratorë apo edhe doktorë. Kujtoj dr. Mihal Turtulli , i krishterë . Unë jam krenar të them që shqiptarët dhanë kontributin e tyre dhe dhanë shumë për këtë vend”, tha Rama.
Moustafa Madbouly gjatë fjalës së tij theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ai tha se u diskutua për marrëdhëniet tregtare, kulturore, të turizmit.
“Në takimin tonë diskutuam për të forcuar marrëdhëniet mes kombeve tona dhe u përqendruam në fusha të ndryshme përfshirë turizmin, energjinë, tregtinë dhe kulturën. Gjithashtu shkëmbyem edhe pikëpamje për çështje ndërkombëtare, diskutuam dhe mbledhjen e seancës së parë të Komitetit për bashkëpunim teknik shkencor e kulturor që do të bëhet në kryeqytetin Tiranë muajin tjetër.
Jam besimplotë se ky takim do të jetë kuadër mbështetës për marrëdhëniet tona dhe do të nxitë bashkëpunimin për ekonominë dhe investimet. Theksova dhe rëndësinë e ngritjes të një komisioni të përbashkët të Këshillit të biznesit të Shqipërisë dhe atij të Egjiptit me përfaqësues të Federatës të dhomave të tregtisë dhe industrisë. Nënshkruam 3 marrëveshje bashkëpunimi. Kjo vizitë një pikë kthese të bashkëpunimit mes dy vendeve. Egjipti pret të forcojë marrëdhëniet me të”- tha kryeministri i Egjiptit.