Rivarrosen eshtrat e 37 ushtarëve grekë në Këlcyrë, parcela do zgjerohet për varreza të tjera

Eshtrat e 37 ushtarëve grekë janë rivarrosur sot në Manastirin e Këlcyrës. Eshtrat janë të ushtarëve të rënë në luftën italo-greke, dhe do të prehen në këtë varrezë ku prehen edhe eshtrat e mbi 700 ushtarëve të tjerë grekë.
Ceremonia është mbajtur larg syrit të medias dhe pa praninë e autoriteteve shqiptare. Të pranishëm kanë qenë përfaqësuesit më të lartë të klerit ortodoks të Mitropolisë së Gjirokastrës.
Rivarrimi i eshtrave të 37 ushtarëve grekë do të pasohet nga rivarrime të tjera. Për këtë arsye, parcela ku ndodhen varret do të zgjerohet pasi nuk ka mundësi për rivarrime të tjera, qofshin këto dhe murale.
I pranishëm ka qenë konsulli grek i Gjirokastrës Dimitris Saharidis, sekretari i çështjeve politike në Ambasadën Greke në Tiranë, Valis Pendervanis, Prefekti i Maqedonisë Perendimore Jorgos Kasapidis, admirali Dhimitrios Milas që është nga komiteti i ekspertëve shqiptaro-grek për zhvarrimin e eshtrave të ushtarëve grekë, si dhe oficerë të Ushtrisë Greke.