S’ka entuziazëm për negociatat me Shqipërinë, Varhelyi prezanton paketën e zgjerimit para PE

Eurodeputetët e Komitetit të Jashtëm do të njihen ditën e martë me raportet e progresit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe në tërësi me paketën e zgjerimit të Bashkimit Europian.

Para eurodeputetëve do të dalë Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi. Në rastin e Shqipërisë, raporti i Komisionerit përqëndrohet te rëndësia e dialogut dhe vijimi i reformave, me theks përmbylljen e reformës në drejtësi, ndërsa përshëndetet rikthimi në Kuvend i opozitës.

Zgjedhjet vlerësohen pozitivisht për klimën përgjithësisht të qetë në të cilën u zhvilluan, por KE përsërit vërejtjet e bëra në raportin e vëzhgimit të OSBE, që nga depolitizimi i administratës zgjedhore, deri te heqja e parashikimit që u njeh të drejtën kryetarëve të partive që të kandidojnë deri në katër qarqe.

Prezantimi i raportit i hap rrugë fazës së propozimeve për amendime nga eurodeputetët. Entuziazmi edhe këtë herë është i vakët, se brenda këtij viti BE do të hapë negociatat. Raporti i Komisionit pak rëndësi ka për këtë proces, përsa kohë Këshilli ka rekomanduar që në mars të 2020 hapjen e negociatave.

Por, procesi ka ngecur nga burokracitë e vendosjes së një date për mbajtjen e tryezës së parë ndërqeveritare BE-Shqipëri. Tashmë është vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut që po penalizon edhe Shqipërinë.

Si të mos mjaftojë kjo, dy dokumente të brendshme të BE-së nuk vënë në mëdyshje vetëm anëtarësimin e Shqipërisë e të Maqedonisë në union, por gjithë strategjinë e zgjerimit që ka Brukseli.

Dokumenti i parë i cituar nga Reuters thotë se vende si Holanda, Danimarka e madje edhe Franca kërkojnë që BE të mos zgjerohet më me Ballkanin Perëndimor, por t’i ofrojë rajonit një partneritet strategjik.

Dokumenti thotë se shqetësimi i këtyre vendeve lidhet me frikën se anëtarësimi do të pasojë një fluks emigrantësh, të ngjashme me valët e së shkuarës kur u anëtarësua Polonia, Rumania e Bullgaria.

Dokumenti tjetër për qarkullim të brendshëm në BE citon shqetësimet e Francës dhe të Gjermanisë për numrin e lartë të kërkesave për azil të pabazuara. Shqipëria përmendet nga të dyja vendet si burim i këtyre shtetasve dhe shkohet deri atje sa t’i propozohet Komisionit që të shohë mundësitë e aktivizimit të instrumentit të pezullimit të vizave.

Kërkesat e larta të pabazuara të azilit janë një prej kushteve të kërkuara nga ky instrument për t’u aktivizuar. Shqetësimet për këtë fenomen ndaj Shqipërisë Franca i ka që prej vitit 2015. Por, mundësitë që lëvizja e lirë të pezullohet janë minimale. Për këtë vendim kërkohet vota unanime e vendeve anëtare dhe në një përpjekje të tillë në 2019-n, por duke cituar “krimin shqiptar”, Holanda dështoi./Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT