Tensionet në Veri/ Vuçiç: Telefonova Lajçakun, i thash t’i frenojë ose do t’i frenojmë ne! Reagon NATO: Aksioni në veri, veprim për vendosjen e ligjit

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka mbajtur një takim urgjent në kazermat ushtarake të Serbisë në Rashkë, për të rënë dakord, siç u tha, se çfarë të bënin pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës në veri.

Ai tregoi se ka folur me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të cilit tha se i ka kërkuar “t’i ndalojë” veprimet e institucioneve të Kosovës.

“Ndaloni ata. Nëse nuk jeni në gjendje ta bëni, ne do t’i ndalim”, deklaroi Vuçiç se i ka thënë Lajçakut.

“Ata më thanë ‘ne jemi duke punuar për këtë’ dhe pastaj i bënë ata të tërhiqeshin. Megjithatë, duhet të keni parasysh, sipas inteligjencës sonë, ata kishin mbështetjen e të paktën një shteti për atë që po e bënin sot, dhe ky nuk është një vend i BE-së”, tha kreu i shtetit serb.

Ai tha se Kosova u frymëzua nga fuqi të mëdha për aksionin e sotëm.

Nga ana tjeter, Aleanca veri-atlantike, NATO, e sheh operacionin e Policisë së Kosovës më 13 tetor kundër kontrabandimit të mallrave si, “veprim për vendosjen e ligjit” dhe thotë se misioni i KFOR-it në Kosovë është në komunikim me autoritetet relevante.

Një zyrtar i NATO- ka thënë se “Policia e Kosovës është duke kryer një operacion të zbatimit të ligjit përgjatë Kosovës” dhe se “misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja është në komunikim të pandërprerë me të gjitha institucionet relevante në Kosovë dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”.

Aksioni policor më 13 tetor është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.

Policia e Kosovës ka thënë se në këtë aksion janë sekuestruar mallra “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj”.

Policia e Kosovës ka thënë se janë arrestuar dhe ndaluar tetë persona. Ndërkaq janë shpallur në kërkim edhe dhjetë të tjerë, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në kontrabandë me mallra.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT