“Vazhdojmë me reciprocitetin ndaj Serbisë”/ Kosova paralajmëron të tjera masa pas targave

Qeveria e Kosovës thotë se marrëveshja e nënshkruar në Bruksel me Serbinë për çështjen e targave nuk e pengon që të zbatojë në fusha të tjera parimin e reciprocitetit dhe nuk përjashton që vendime të ngjashme të pasojnë në të ardhmen.

“Në të ardhmen, është e logjikshme të priten edhe vendime të tjera që tregojnë vendosjen e plotë të principit të trajtimit të barabartë të palëve në marrëveshjet apo në marrëdhëniet reciproke”, tha zv.Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, zv.Kryeministri Besnik Bislimi shprehet se nëse vërhet nga pala serbe përpjekje për t’iu shmangur zbatimit të marrëveshjes për targat, atëherë qeveria e Kosovës do të ndërhyjë.

“Ne shpresojmë që Serbia ta implementojë në tërësi marrëveshjen e arritur në Bruksel. Në rast se vërejmë deformime në terren, atëherë ne do të detyrohemi të intervenojmë. Por, kjo as nuk kufizon, as nuk hap hapësira për intervenime në fusha të tjera”, tha ai.

Bislimi u është përgjigjur edhe akuzave të opozitës së Kosovës në lidhje me targat “Kosovo i Metohije”, që qarkullojnë në veri të vendit e që lëshohen nga Serbia. Opozita akuzon se me këtë marrëveshje, Qeveria i ka legjitimuar këto targa.

“Ato targa ‘KM’ operojnë të lira në veri të Kosovës nga viti 2008, rrjedhimisht ne nuk kemi vendosur kurrfarë ligjshmërie, në fakt ne kemi de-legalizuar atë, për arsye se në këtë marrëveshje ato trajtohen vetëm si targa të Serbisë që nuk njihen në Kosovë dhe targat e Serbisë të cilat ne nuk i njohim, i mbulojmë me stikers. Deri më 30 shtator, këto targa kanë lëvizur të lira në veri dhe rrjedhimisht argumenti është i paqëndrueshëm”, u shpreh ai.

Bislimi tha se pas 21 prillit 2022, kur përfundon afati gjashtëmujor për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare për këtë çështje, edhe këto targa nuk do të ekzistojnë më në territorin e Kosovës.

Zv.Kryeministri u shpreh se pret që të shtunën, barrikadat e ngritura nga serbët në Jarinjë e Bërnjak të largohen, për të respektuar marrëveshjen e arritur në Bruksel.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT