Vdekja e 4 turistëve në Qerret, ambasada ruse paralajmëron: Sapo të mbërrijnë në Rusi do t’i bëjmë një tjetër ekspertizë mjeko-ligjore

Në orët e para të mëngjesit të sotëm nga morgu i Tiranës u tërhoqën katër trupat e turistëve rusë të cilët humbën jetën para një jave në një hotel në Qerret.
Përmes një postimi në rrjetet zyrtare të ambasadës mësohet se sapo trupat do të mbërrijnë në shtetin rus do ti nënshtrohen një ekspertize mjekoligjore, në bazë të procedurave ligjore që ky shtet ndjek.
“Në mëngjesin e hershëm të 22 tetorit trupat e pajetë të shtetasve rusë, të cilët humbën jetën në 15 tetor në territorin e Republikës së Shqipërisë, u nisën në Rusi me një fluturim të rregullt.
Sipas legjislacionit rus, mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë për të zbuluar shkaqet e vdekjes së tyre.
Shpresojmë në marrjen sa më të shpejtë të përfundimeve zyrtare nga pala shqiptare, si edhe në bashkëpunimin e mëtejshëm të ngushtë të organeve ligjzbatuese ruse dhe shqiptare për sqarimin e rrethanave të tragjedisë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Kujtojmë se dy gra dhe dy burra u gjetën të pajetë brenda saundës së hotelit “Gloria Palaçe” në Qerret. Çifti i bashkëshortëve Nataliia dhe Sergei Burenkov përkatësisht 58 dhe 60 vjeç, vajza e tyre Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe dhe partneri i saj Nikita Belousov, 37 vjeç u gjetën të pajetë në dhomën e saunës të resortit luksoz, rreth orës 23:00 një javë më parë.
Turistët ishin pjesë e grupi rusësh dhe ukrainasish që kishin zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet këtë vjeshtë, por fatkeqësisht gjetën vdekjen. Së bashku me miq të tjerë, ata kishin qenë në Ohër të Maqedonisë së Veriut ku dhe kishin drekuar, ndërsa darkën kishin vendosur që ta kalonin në kompleksin turistik.
Madje gjatë ditës, ata kishin rezervuar me telefon dhomën e saunas me xhakuzi që ndodhet në katin e nëndheshëm të hotelit.
Ndërkohë Prokuroria e Kavajës këtë rast do ta hetohet si vrasje në rrethana cilësuese