Vendimi i Venecias si shuplakë ndaj PD dhe PS-së

Komisioni Venecia ka rrëzuar aktin e Ilir Metës për zhbërjen e zgjedhjeve lokale 2019. Një vendim që shihet si një shuplakë jo vetëm ndaj kreut të shtetit, por edhe ndaj dy partive politike, PS dhe PD.

Venecia konstaton se Presidenti nuk ka të drejtë të shtyjë zgjedhjet në kushtet e mungesës së bazës ligjore dhe në këto raste, gjykata mund të konsiderojë shtyrjen si antikushtetuese.

Kjo mund të konsiderohet edhe si shuplaka e parë në adresë të presidentit, i cili mori rolin e njëanshëm dhe firmosi dekretin duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.

Shuplaka e dytë mund t’i drejtohet opozitës, PD dhe LSI që nuk morën pjesë në zgjedhje dhe i bojkotoi. Do të ishte pikërisht PD-ja që nëpërmjet shoqatës së bashkive, kryetares Voltana Ademit depozitoi në Gjykatën Kushtetuese ankimin për të anuluar zgjedhjet lokale, pasi në shumë bashki nuk pati kandidatë.

Komisioni vlerëson se Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë të shqyrtojë pavlefshmërinë e zgjedhjeve, ndërsa, sipas draftit, e drejta e partive për të marrë pjesë në zgjedhje nuk është detyrim, e për pasojë nuk është i pranueshëm.

Shuplaka e tretë mund të lidhet me Partinë Socialiste. Kjo për faktin se socialistët nuk i shkuan deri në fund komisionit të parë hetimor për shkarkimin e presidentit që lidhej pikërisht me shkeljet e presidentit për nxjerrjen e dekretit për anulimin e zgjedhjeve.

Venecia i dha të drejtë PS-së, e cila denoncoi aktet e kreut të shtetit, por që socialistët u tërhoqën nga vendimi dhe votimi në seancë për shkarkimin e Metës si president, duke e lënë këtë si një vendim të dytë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Fati i Metës do të vendoset në Gjykatën Kushtetuese, por se nëse argumentet e para mund të kishin paraqitur si prova në këtë gjykatë, atëherë Meta mund të shkarkohej. Por aktualisht, kreu i shtetit, që i mbaron mandati në korrik të 2022, duket se do ta shijojë këtë presidencë në 9 muaj që i kanë mbetur sipas Kushtetutës./ Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT