Arratisja e presidentit, “strehohet” për 9 ditë në Itali

Mund të jetë e rrallë në historinë e presidentëve apo e zyrtarëve të lartë shqiptarë, pasi Ilir Meta ka thyer rekordin e një vizitë zyrtare jashtë Shqipërisë, duke qëndruar në një shtet për afro 10 ditësh.

Që nga 31 tetori, presidenti Ilir Meta udhëtoi në Itali në një vizitë që kryesisht u përqendrua në jugun e shtetit përtej Adriatikut. Pas Romës ai udhëtoi drejt Palermos (që e vizitoi për herë të parë) dhe Siçilisë, si dhe vende ku janë përqendruar komunitetit i arbëreshëve, si në Hora, kryeqendra e Arbëreshëve, Santa Cristina Gela, Contessa Entellina, Mezzojuso apo dhe Palazzo Adriano.

Kjo “arratisja” e gjatë e presidentit mund të hyjë në librin e rekordeve të një shtetari që ka qëndruar më gjatë në udhëtimet e realizuara. Gjatë kësaj kohe presidenti ka qëndruar larg ushtrimit të detyrës, si nxjerrja e dekreteve apo miratimi apo kthimi i ligjeve ndaj Parlamentit.

Meta tashmë është në fund të mandatit të tij presidencial,  ligjërisht në këtë detyrë është deri në korrik të vitit 2022.

Presidenti gjithashtu është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të mësuar fatin e tij, nëse do vijojë të qëndrojë në detyrë edhe këto 9 muaj, apo të shkarkohet. Gjykata po shqyrton vendimin e Parlamentit për shkarkimin e kreut të shtetit, e bazë të Kushtetutës fjalën e fundit e thotë pikërisht ky institucion.

Pas nëntë ditësh “arratisjeje”, presidenca njoftoi se Meta ishte kthyer në atdhe duke pritur në një takim raporteren e PE-se për Shqipërinë, eurodeputeten Isabel Santos.

Arratisja e presidentit,

“Vlerësova angazhimin e saj dhe të Parlamentit Europian në mbështetje të nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.  Ramë dakord se krimi i organizuar dhe emigracioni përbëjnë shqetësim serioz, që duhet trajtuar me përparësi.  Dita e sotme shënon 11-vjetorin e vendimit të Këshillit Europian për liberalizmin e vizave me Shqipërinë.  Është e domosdoshme, që ky proces të përmbyllet me rajonin tonë, duke liberalizuar sa më parë vizat edhe me Kosovën, të vetmit vend që nuk i është mundësuar ende kjo e drejtë edhe pas plotësimit të të gjitha kushteve. Theksova gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke u ndalur edhe në situatën shqetësuese të krijuar në Bosnje-Hercegovinë, së cilës Bashkimi Europian duhet t’i kushtojë vëmendjen e duhur pa humbur kohë”, shkruan presidenti./ Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT