Basha kërkon vettingun në politikë, sulmon Mediun për Gërdecin

Kryedemokrati Lulzim Basha publikoi një status duke kërkuar vettingun në politikë, duke e cilësuar si të domosdoshëm nisjen e këtij procesi për pastrimin nga të korruptuarit.
“Një shtet i kapur nga korrupsioni nuk i shërben qytetarëve, por një pakice që gjallon në kurriz të shumicës dërrmuese të shqiptarëve, ndaj edhe buxheti është në funksion të PPP-ve klienteliste, jo të familjeve dhe sipërmarrjeve të ndershme. Kjo krizë korrupsioni po varfëron qytetarët, po largon të rinjtë e të rejat dhe po asfikson ekonominë. Zgjidhja është pastrimi i politikës nga të korruptuarit dhe politikanët e lidhur me krimin. Zgjidhja është vettingu në politikë!”, shkruan Basha në rrjetet sociale.
Qëndrimin më të fundit, Basha e shoqëruar me një raport të Transparency International dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim. Studimi titullohet “Zbërthimi i kapjes së shtetit në Shqipëri: Një shqyrtim i rasteve të korrupsionit
të nivelit të lartë dhe ligjeve të bëra me porosi nga viti 2008 deri në 2020”.
Pikërisht në këtë studim si një rast i korrupsionit përfshihet edhe Gërdeci, i ndodhur gjatë qeverisjes së Berishës.
“Një shembull i çështjeve të mbartura është rasti i “Gërdecit”. Keqadministrimi dhe korrupsioni brenda Ministrisë së Mbrojtjes çuan në shpërthimin e një punishteje për çmontimin e municioneve afër fshatit Gërdec që mori 26 jetë dhe la më shumë se 4,000 fshatarë të pastrehë. Sipas
prokurorisë, Fatmir Mediu – ministër i Mbrojtjes në atë kohë – kishte ndikuar në mënyrë të padrejtë në rezultatin e kontratës për demontimin e municioneve të vjetëruara dhe të tepërta. Mediu kishte favorizuar Southern Ammunition Company Inc. (një kompani amerikane) në procesin e tenderimit, dhe – së bashku me Ylli Pinarin, drejtorin e kompanisë shtetërore të import-eksportit të mallrave ushtarake (MEICO) – kishin udhëhequr krijimin e Alba-Demil sh.p.k., nënkontraktorit shqiptar të kompanisë amerikane.
Veç kësaj, Mediu nuk kishte lejuar ushtrinë shqiptare të kryente inspektime
në punishten e demontimit. Çështja e Mediut është në pritje të gjykimit në Gjykatën e Lartë pasi u pezullua në shtator 2009 kur ai rifitoi imunitetin e tij parlamentar pas zgjedhjeve të qershorit 2009”, thuhet në këtë raport.
Me synimin për të goditur socialistët me vendime e tyre për koncensionet e PPP-të, Basha me ose pa dashje ka sulmuar edhe qeverisjen e Berishës ku edhe ai vetë ka qenë pjesë e saj.