Buxheti 2022/ Rama u përgjigjet fermerëve protestues dhe komentuesve në Facebook: Jeni “out” fare, arsyeja pse e hoqëm rimbursimin 6%

Bashkë me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot buxhetin e vitit 2022 për fermerët.

Kryeministri tha se bujqësia në Shqipëri është transformuar plotësisht. Sipas tij, toka që punohet, krahasur me vitin 2013, është dyfishuar, ndërsa foli edhe për rekord të eksporteve “Made in Albania”.

Shefi i qeverisë pati edhe një mesazh edhe për ata që kritikojnë reformat në bujqësi, duke u thënë se janë “out”.

“Prodhuesit të orientohen të kuptojnë tregun. Kemi rritje të eksporteve bujqësore të paimagjinueshme disa vite më parë. Ata që bëjnë komente nëpërmjet telefonit se bujqësia ka mbaruar, ju them që jeni “out”. Eksportet bujqësore janë rritur sepse është rritur prodhimi, kapaciteti prodhues dhe kapaciteti tregutues. Në 2013 punoheshin 120 mijë hektarë, sot punohen 255 mijë hektarë. Jemi në kushtet kur punohet dyshifi i tokës në Shqipëri. Deri disa vitë më parë nuk kishte as ujë dhe as kullim. Vlera e eksporteve, kemi kapur 400 milionë euro. Në duam të shkojmë në 1 miliard. Të kombinuar, bujqësia me peshkimin”, tha Rama.

Kryeministri është ndalur edhe tek protesta e fermerëve. Sipas tij, heqja e rimbursimit është bërë pasi prej tij përfitonin vetëm grumbulluesit e mëdhenj dhe se skema nuk ishte transparente. Kryeministri shtoi se ky fond tashmë do t’i shtohet buxhetit të Ministrisë.

“Dua ta filloj me atë elementin që ka shkaktuar konfuzionin e pragut të miratimit të buxhetit, i materializuar dhe në disa protesta të cilat janë legjitime. Por ata që kanë marrë pjesë në një masë të madhe janë të keqinformuar. Pse ne kemi vendosur të heqim rimbursimin e 6% dhe çfarë do të bëjmë me atë masë parash që përdorej për rimbursimin sepse këto janë të nevojshme për të kuptuar. Në fakt është hedhur një hap përpara. Duket vendosur skemën 6% kemi synuar që përmes shfrytëzimit të kapacitetit logjistik të prodhuesve të çojmë paratë te fermeri në raport me prodhimin e grumbulluar dhe shifra në fund ka rezultuar modeste dhe e kontrolluar nga një grusht grumbulluesish të mëdhenj dhe jo domosdoshmërisht ka shkuar te fermeri. Në këndvështrimin tonë ajo shumë që rezultoi rreth 9 milionë dollarë të transferohet drejtpërdrejt në buxhetin e bujqësisë dhe në vend sesa të shpenzohet përmes një sistemi jo transparent rimbursimi, ku pjesa më e madhe kontrollohet nga grumbulluesit të shkojë drejtpërdrejt për produktivitetin duke iu dhënë buxhetit të ministrisë së Bujqësisë. Një sektor i cili gjatë një viti prek shifrën e 3.5 mld sa mund të impaktohet nga vetëm 9 milionë dollarë”, tha kryeministri./Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT