Çfarë thanë dy autorë kur morën vesh se do vareshin? Prokurori që i dënoi rrëfen detajet

Kiço Nano në intervistën e dhënë për Zona Zero ka zbuluar detaje të momentit kur ai i bëri të ditur dy autorëve të masakrës së Libofshës se do të ekzekutoheshin në mes të qytetit të Fierit.
Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më datën 29.05.1992, ora 06:45, në fshatin Libofshë të rrethit Fier, ku në banesën e tyre u gjetën të vrarë shtetasit Petrit, Zenepe, Agim, Rajmonda dhe Magdalena Pupa. Pas hetimeve rezultoi se autorët e ngjarjes ishin vëllezërit Ditbardh dhe Josif Çuko. Nano në Zona Zero, deklaroi se ishte vetë ai që shkoi dhe i mori nga burgu dy vëllezërit Çuko, i cili i komunikoi vendimin refuzues nga presidenti i asaj kohe, Sali Berisha për t’i falur.
“Para ekzekutimit unë e kam ndjekur që nga momenti që i kemi nxjerrë që nga qelia. Që nga qelia, komunikimi i fundit i thashë: I pandehur presidenti nuk e mori në konsideratë kërkesën tuaj, pra do të ekzekutoheni. Më tha: Po vëllai? Dhe vëllai, ia ktheva. Nuk shfaqën asnjë lloj pendese”, tha Nano.
Ish-prokurori u shpreh se ndjeu gëzim kur kërkesa e pretencës së tij për vdekjen e dy autorëve u mor në konsideratë si nga trupi gjykues i asaj kohe, ashtu dhe më pas vulosjen nga dekreti i presidentit.