“Dolçe Gabbana linjë prodhimi në Lushnje”, Ministrja Bilali: 1 mld lekë fond si garanci sovrane për fasonët

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali në emisionin Zona Zero deklaroi se qeveria shqiptare ka vendosur për biznesin fason 1 miliardë lekë si garanci sovrane për biznesin fason. Ministrja e shtetit gjithashtu bëri të ditur se ky fond do të përdoret për përmirësimin e makinerive të biznesit fason, në mënyrë që t’i përgjigjet sa më mirë nevojave të tregut.

“Fondi i vënë në dispozicion tregon dhe vullnetin e qeverisë. Çdo kompani që prodhon, biznes fason, nëse duan të rinovojnë teknologjinë, sepse ato e kanë shprehur se teknologjia e përdorur është e vjetër mund ta arrijnë me këtë fond. Në momentin që ne përmirësojmë teknologjinë, ulen kostot dhe rritet cilësia e produkteve. Ne po përshtatemi më së mirë, kompanitë shqiptare po ecin, në botë duhen 3 vite, ne kemi sensin e mbijetesës shumë të rritur. Në 2022, edhe BB ka thënë se do të kemi rritje. Në mos kovidi do të jetë i mbaruar, e na la mësim për të mësuar. Në 2022 me politikat e duhura për vaksinat, do të na lejojnë për operacionitetin financiar. Sektori duhet të avancojë brenda llojit, që kemi avancuar me hapa më të vegjël është modernizimi i zinxhirit”, tha ministrja.

Ajo zbuloi se firmat e njohura të botës po vijnë në Shqipëri, duke deklaruar se “Dolçe Gabbana ka ngritur një linjë prodhimi t në Lushnje, jo të gjithë koleksioni i saj, Alverio Martini ka linjë në Shkodër”, tha Bilali.

Ndërsa si ndihmë të dytë të bizneseve është mundësia e binjakëzimeve me firmat e huaja në mënyrë që të kenë mundësi e dizanjeve.

Ndërsa bëri të ditur se qeveria do të japë një fond prej 10 milionë eurosh për projektin e Startup-eve që do t’u vijë në ndihmë të rinjve shqiptarë.

“Qeveria po i jep një vëmendje që është konkrete, që është i dedikuar me një fond për 10 mln euro, e jemi duke ecur me kuadrin ligjor, paralel me të, që krijon lehtësira, jemi në fazat e fundit të draftimit. Do të ketë një periudhë 24 mujore që të rinjtë të vetdeklarohen, për çfarëdo lloj biznesi, e hapur mosha dhe kombësia. Po të bëhemi faktor në Ballkan, do të ishte shumë e mirë”, tha Bilali.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT