Dy viktima brenda një viti, loja e rrezikshme e TikTok-ut që po vret të miturit shqiptarë

Ditën e shtunë, 22 nëntor është gjendur i varur në banesën e tij në Lushnje një 13-vjeçar.
Ngjarja e rëndë mendohet që të ketë prapavijë një loje në rrjetin social TikTok, të quajtur “Blackout Challenge”.
“Sot rreth orës 18:00, në spitalin e Lushnjës është sjellë nga prindërit pa shënja jete, djali i tyre 13-vjeçar, banues në fshatin Golem, i cili dyshohet se është vetëvarur në banesë.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj”, njoftoi policia të shtunën.
Kjo lojë “detyron” pjesëmarrësit, kryesisht fëmijë që të lidhin rreth qafës një litar dhe të qëndrojnë disa minuta ashtu për të dhënë iden që “lojtari” ka humbur ndjenjat.
Shpesh ky kurth kaq i rrezikshëm ka çuar deri në fatalitete.
Megjityhatë në Shqipëri ky nuk është rasti i parë që ndodh. Më herët një ngjarje e ngjashe është regjistruar në qytetin e Shkodrës, ku një tjetër djalë 10-vjeç është gjendur i varur në ambientet e banesës së tij në muajin maj.
10-vjeçari me inicialet N.Y ka humbur jetën në mënyrë aksidentale, pasi po tentonte të bënte një video sikur po vetëvritej me qëllimin për ta hedhur në rrjetin social Tik Tok. Kjo tentativë e vetëvrasjes së 10-vjeçarit, e nisur si një shaka, ka përfunduar në një tragjedi për atë, familjen e tij, të afërmit dhe rrethin shoqëror.
Sipas burimeve, shtetasi N.Y. ndodhej i vetëm në atë moment, kur po tentonte të realizonte këtë video dhe papritur diçka nuk ka shkuar mirë për të, duke bërë që të humbë jetën në vetëm pak minuta./Gazeta Shqip