E FUNDIT/ Gjyqi ndaj Shullazit dhe anëtarëve të tjerë të grupit, ja kur do të jepet vendimi

Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë për në datë 3 dhjetor vendimin për Emiljano Shullazin, Gilmando Danin, Endrit Qyqjan, Endit Zelën si dhe Blerim Shullazin.
Gjyqi ndaj Shullazit dhe grupit të tij zgjati 10 orë dhe u zhvillua në mungesë.
“Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 24.11.2021, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u zhvillua seanca gjyqësore për çështjen me nr. 1/4/5/24/138 akti, datë regjistrimi 13.12.2018,mbi ankimin e Prokurorit dhe mbi ankimet etë pandehurve E.Sh., E.Z., G.D., E.Q., dhe B.Sh. Gjykata pasi shqyrtoi çështjen, shtyu shpalljen e vendimit për në datë 03.12.2021, ora 13:00”, thuhet në njoftim e Gjykatës.
Siç raportoi më herët Gazeta SHQIP, gjyqi që vijonte që prej orës 13:00, u zhvillua më pas pa praninë e të akuzuarve dhe pa avokatët në sallë.
Proçesi gjyqësor, prej nëntorit të vitit 2018 kishte mbetur i bllokuar në gjykatën e Apelit, herë për mungesë të gjyqtarëve të shkarkuar nga vettingu, apo edhe për mungesë të avokatëve.
Vendimi në shkallë të parë për Emiljano Shullazin dhe 4 të pandehurit e tjerë është dhënë më 13 Tetor të 2018. Ata u dënuan në total me 55 vite burg për gjobëvënie dhe grup të strukturuar kriminal. Grupi e apeloi vendimin dhe kërkoi pafajësi.
Për Shullazin u dha 14 vite burg, ndërsa ai bashkë me bandën e tij akuzohen për krijim të grupit të strukturat kriminal, gjobëvënie dhe kanosje për shkak të detyrës.
Emiljano Shullazi është i izoluar në regjimin e posaçëm 41 bis dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë nga seancat në Apel./Gazeta SHQIP