“E vetmja shpresë është…”/ Analisti: Përplasja Berisha-Basha dhe çfarë e pret PD-në

Analisti Blendi Kajsiu nuk beson se PD mund të vijë në pushtet duke patur kundërshtar SHBA-të, por nga ana tjetër thekson se Lulzim Basha nuk mund të bëhet kryetar i PD sot, e nësër kryeministër, me ndihmën e ambasadores amerikane.

Në një lidhje për “Zona Zero” në Top News, Kajsiu u shpreh se Sali Berisha ishte problematik për SHBA-të edhe para vitit 2005, por u rikthye si kryeministër, pasi mbështeti tezën antikorrupsion. Gjithsesi, kohët kanë ndryshuar.

“Basha e përjashtoi Sali Berishën vetëm pas presionit amerikan. Tashmë koha po i mbaron Lulzim Bashës. Nuk ka treguar ende lidership të fortë. Mbështetja e SHBA e ndihmon Lulzim Bashën, si dhe goditja që SHBA i jep Berishës e dëmton “Foltoren”. Unë nuk mendoj se PD mund të vijë në pushtet duke patur kundërshtar SHBA-të. Por kjo nuk do të thotë se zhvillimet në PD përcaktohen nga SHBA. Të kujtojmë se Sali Berisha ka qenë në radarët e SHBA si politikan problematik dhe u rikthye sërish në vitin 2015. Berisha erdhi në pushtet me politikën antikorrupsion. Për ta thënë më shqip, nuk mund të bëhesh kryetar i PD thjesht nga ambasadori. Shoh edhe një nxitim të ambasadores që jep deklarata nga shkallët e PD-së. Dje e bëri kryetar Berisha, sot po e bën zonja Kim kryetar. Nuk bëhesh kryetar apo kryeministër me mbështetjen e ndërkombëtarëve. Sali Berisha e ka fituar zemrën e militantëve të PD, por nuk besoj se ka fituar zemrën e qytetarëve shqiptarë”, tha Blendi Kajsiu.

Po çfarë ndodh në 11 dhjetor dhe a mund të rikthehet Sali Berisha si kryetar i PD e më pas si kryeministër? Bledi Kajsiu mendon se mobilizimi që po u bën militantëve Sali Berisha, është më së shumti shprehje e dëshpërimit që ka pllakosur në PD.

“Nuk e di. Në shkencat politike, parashikimi i së ardhmes është problem. Do ketë një çarje të madhe të PD-së, së pari nga abuzimi që po bën Sali Berisha. Mobilizimi në fakt buron nga dëshpërimi për kryetarin aktual. Mobilizimi që bën Sali Berisha në radhët e PD vjen nga zhgënjimi që ka anëtarësia. E vetmja shpresë që ka PD është hapja ndaj faktorëve dhe aktorëve brenda së djathtës. Ka shumë. Nuk duhet të merremi me Sali Berishën dhe Lulzim Bashën”, tha Kajsiu./Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT