Fati i “30 qershorit”/ Voltana Ademi: Ja çfarë kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese

TIRANË – Gjykata Kushtetuese shqyrtoi dje legjitimitetit e zgjedhjeve vendore të mbajtura në 30 qershor 2019, zgjedhje në të cilat opozita nuk mori pjesë.
Gjykata Kushtetuese nuk ka dalë ende me një vendim konkret, por pritet që në ditët në vijim, të shprehet nëse zgjedhjet ishin legjitime apo jo.
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi deklaroi në emisionin “Breaking” në Top News, se ajo ka kërkuar pavlefshmërinë e procesit zgjedhor.
“Mendoj se jemi në kushtet e 61 kryetarëve të cilët janë atje për shkak të një procesi të parregullt zgjedhor. Ne kërkojmë nga gjykata Kushtetuese disa përgjigje: A ishte antikushtetues procesi i zgjedhjeve të 30 qershorit? Ne pyesim gjithashtu: A plotësonin zgjedhjet standardet e kërkuara? A u garantua e drejta e zgjedhësve? A është garantuar votimi i fshehtë? Partitë politike që morën pjesë, a ishin legjitime? Ka disa pyetje që Kushtetuesja pritet t’u japë përgjigje. Mendoj se do të dalin të fituar të gjithë”, tha Voltana Ademi në Top News.
Kujtojmë se Ademi vijon të jetë në krye të bashkisë së Shkodrës, edhe pse PD nuk garoi në zgjedhjet e fundit. Kjo pasi, kandidati fitues i PS, u dogj nga dekriminalizimi dhe nuk arriti të bënte betimin. /Gazeta SHQIP