FOTOT/ Bregdeti i Vlorës kthehet në “kosh mbeturinash”, Dritan Leli nuk i lë kohë Ramës për ta kritikuar

Bregdeti i Vlorës u shndërrua mëngjesin e sotëm në një “kosh mbeturinash”, pasi deti nxori në breg sasi të mëdha mbetjesh.
Karrige, qese plastike, shishe që i duhen 450 vite për t’u dekompozuar dhe solucione pastrimi boshe, kanë mbuluar rerën e bregdetit të Vlorës, pasi dallgët i sollën ato nga moti i keq.
I kritikuar shpesh nga kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku socialist i shpallur “non grata” nga familja e tij politike, Dritan Leli, doli në terren dhe pastoi bashkë me ekipin e bashkisë në një kohë rekord të gjitha mbetjet.
Ai nuk i la kohë as kryeministrit për të reaguar për ndotjen e lartë mjedisore, duke i paraprirë kështu shmangies së një përplasjeje në distancë.
“Kushtet e motit nuk i kontrollojmë dot, por punën e përditshme po. Me ekipet e shërbimit të qytetit, edhe pse në ditë pushimi, aksionin e radhës e përqendruam në breg të detit, për të pastruar gjithë ç’kishte nxjerrë deti gjatë natës! Kur i hidhni bidonat plastik në det, mos kujtoni që, meqenese nuk ju pa kush, i keni hedhur në vendin e duhur! Gjithçka ju kthehet sërish në tryezë, përmes peshkut që hani! Mos abuzoni me tokën, mos abuzoni me detin”, shkruan Leli, ndërsa publikoi edhe foto nga bregdeti i pastruar./Gazeta SHQIP