I arrestuar nga SPAK/ Kush është Bledar Lilo, ish-truproja besnik i Rezart Taçit me biznes nafte (Foto)

Bledar Lilo është një nga të arrestuarit ditën e sotme nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për skemën e pastrimit të parave në vlerën 18 milionë euro.
Sipas informacioneve të siguruara nga Gazeta Shqip, Lilo është një nga personat më të besuar të ish-bossit të naftës Rezart Taçi.
Mësohet se Bledar Lilo është ish-truproja e Taçit dhe aksioner në disa kompani në Shqipëri. Gjithashtu ai dyshohet se ka pastruar paratë në bashkëpunim me një tjetër të besuar të Taçit, kunatin e tij Artur Balla.
Aktualisht Lilo rezulton i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit me emrin e subjektit Lilo Petrol. Ky është një subjekt eksport tregtimi me shumicë dhe pakicë të naftës dhe nënprodukteve të saj.
Ndërkohë që emri i Bledar Lilo është bërë publik për mediat edhe më herët në kohën kur ky i fundit punonte si truprojë për Rezart Taçin.
Ai është shpallur fajtor gjatë një konflikti të ndodhur në ish-bllok mes Rezart Taçit dhe një gazetari.
Lilo është konfliktuar me gazetarin në një lokal në ish-bllok teksa e ka qëlluar atë.
Në 24 nëntor të 2010 Gjykata e Tiranë ka kërkuar shpalljen fajtor dhe dënimin me nga 3 muaj burgim për biznesmenin Rezart Taçi si dhe dy truprojat e tij Irgen Selfo dhe Bledar Lilo për çështjen në fjalë./Gazeta Shqip