I jepet lamtumira e fundit Mateos/ Balla nga ceremonia mortore: Bashkia i kishte ofruar punë autorit…

8-vjeçari Mateo Vasiu, që u vra një ditë më parë nga bashkëfshatari i tij, u dërgua sot në banesën e fundit, mes lotëve dhe indinjatës së thellë të të afërmve dhe banorëve.
Në ceremoninë mortore ishte edhe kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla. Ai kërkoi dënim maksimal për autorin, ndërsa tha se bashkia i kishte ofruar edhe një vend pune.
“Ky person ka qenë i dënuar më parë për një krim, do thoja të ngjashëm. Ne duhet të rrisim aftësitë parandaluese të shtetit në këtë rast. Bashkia ka bërë përpjekje për riintegrimin e autorit, duke i ofruar një vend punë në bashki.
Dënimi me vdekje? Nuk mund të themi gjëra që nuk i bëjmë dot. Shqipëria është anëtare e Këshillit të Evropës, prandaj e kemi hequr dënimin me vdekje. Dënimi maksimal në Shqipëri, është dënimi me burg përjetë. I bëj thirrje prokurorisë dhe gjykatës së Fierit të japin dënim maksimal”, tha Balla.
I pranishëm në ceremoninë mortore ishte edhe kryebashkiaku i Fierit./Gazeta SHQIP