“Jam në Itali, por do të…”/ Në kërkim për pastrim parash, SPAK reagon pas deklaratës së Rezart Taçit

Biznesmeni Rezart Taçi, u shpall dje në kërkim nga SPAK, pasi akuzohet si pjesë e grupit drejtues të pastrimit të parave në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Në një lidhje ekskluzive për emisionin “Zona Zero”, Taçi u shpreh se po qëndron në Itali, por do të kthehet shumë shpejt në Shqipëri, për t’u përballur me drejtësinë.
“Më mungon Shqipëria, do vij shumë shpejt. Do vij personalisht. Dua të përballem me të gjitha normat e Zotit të fesë dhe të burrërisë.
Unë prej vitesh jetoj në shtetin italian. SPAK më gjen këtu, por do të vij në Shqipëri, shumë shpejt”, tha ai për emisionin “Zona Zero” në Top News.
Pas deklaratës së biznesmenit, ka reaguar edhe SPAK. Ora News shkruan se kontaktuar me kreun e SPAK Arben Kraja për të marrë një reagim lidhur me këtë deklaratë.
“Nëse do të vetëdorëzohet është i mirëpritur të vijë në organet e drejtësisë për të dhënë sqarime lidhur me atë çfarë pretendon”
Ndërsa Taçi u shpall në kërkim, kujtojmë se dje në pranga për këtë hetim ranë dhe dy persona të afërt të biznesmenit, shtetasit Artur Balla dhe Bledar Lilo.
Gjithashtu, dy persona të tjerë, u arrestuan në Itali, shtetasi Francesco Zumo, një biznesmen 90-vjeçar nga Palermo i dyshuar për lidhje me mafian dhe Fabio Petruzzella, një ekonomist, edhe ai nga Palermo.
SPAK thotë se Taçi dhe dy personat e tjerë janë implikuar në këtë veprimtari që lidhet me një transfertë të paligjshme bankare të mbi 18 milionë eurove nga bankat zvicerane në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri./Gazeta SHQIP