”Jemi bërë problem për BE”! SPAK nisi hetimin e “Call Center”-ave, Artan Hoxha paralajmëron

Prokuroria e Posaçme nisi sot një hetim për 13 kompani “call center”-ash me qendër në Tiranë pasi dyshohet se kanë mashtruar me shuma të mëdha një numër të konsiderueshëm qytetarësh të Bashkimit Europian.
Punonjës të “call center”-ave që njihen si “call center bursash” telefononin nga zyrat e tyre në Tiranë qytetarët e BE-së duke iu premtuar se nëse investonin shuma të mëdha në bursë apo në kriptomonedha do të siguronin fitime të mëdha më pas i mashtronin dhe zhdukeshin.
Një hetim i tillë u paralajmërua pak ditë më parë në “ABC” nga gazetari Artan Hoxha, i cili i ftuar në studion e “ABC LIVE” u shpreh se call center-at duhet të kalojë në sitë për aktivitetin që kryejnë në Tiranë, pasi ka shumë shtete që kanë ngritur shqetësime për mashtrime.
“Call center-at duhet t’i kalojnë në sitë, ata me cfarë nuk merren. Në Kosovë ndërhyri vetë Gjermania. Call center vendndodhjen ka në Shqipëri, aktivitetin nuk e ka këtu. Shumica i ke në apartamente. Kjo duhet të goditet sepse po bëhemi problem. Janë jashtë kontrollit” tha Hoxha.
I kontaktuar nga Abcnews.al pas hetimeve që nisi SPAK, Artan Hoxha u shpreh se në ditët në vazhdim pritet që të ketë zhvillime të tjera të rëndësishme. “Do të ketë zhvillime për call center-at sepse jemi bërë problem për BE-në” tha më tej ai.