“Ka ardhur me muaj të tërë tek shtëpia ime…”/ Ilir Meta zbulon pse u “acarua” me Bashën: Gjermanët i “tërhoqen veshin”

Pas Sali Berishës, hapur kundër Lulzim Bashës doli sot edhe Ilir Meta, i cili përmes një konferencë për mediat hodhi akuza të forta ndaj kryedemokratit.
Në një intervistë, presidendenti la të kuptohet se “acarimi” i tij erdhi pasi Basha e bëri pjesë të “trekëndëshit të Bermudës”, bashkë me Sali Berishën.
Kur dëgjoi emrin e tij të artikuluar nga Basha, presidenti tha me ironi se mendoi se bëhej fjalë për Ilir Metën e Vlorës.
Meta befasoi kur shtoi se Lulzim Basha është politikani që ka qenë më shumë në shtëpinë e tij.
“Zoti Berisha ka qenë vetëm njëherë te shtëpia ime. Ndërsa z.Basha me muaj të tërë me gjithë familjen, vajzat, njerëzit e afërt të tjerë. Nuk ka patur as politikan të majtë sa ka qenë zoti Basha, te unë, te familja ime, në planin familjar. Në planin politik dihen ato oshilacionet. Unë nuk kam dashur të përfshihem dhe as jam marrë me çështjet e brendshme të PD. Jam habitur për “Trekëndëshin e Bermudës”. Thash se mos e kishte për Ilir Metën deputet të PS në Vlorë. Por u habita kur tha e kam ndihmuar shumë si president, po unë e kisha dëmtuar atë dhe PD. Unë nuk dëshiroj të ndërhyj në çështjet e partive, por si president, unë jam gati të jap llogari të jap përpra tyre në çdo kohë. Në datën 11 që ka lajmëruar anëtarësia Kuvendin, në datën 18 që e ka njoftuar Kryesia, kur të kenë dësihrë, 100 m larg është Presidenca nga Pallati i Kongreseve””, tha Meta për SyriTv.
Kreu i shtetit iu rikthye sërish dekretit që nxori për shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershori.
“Për zgjedhjet vendore, Basha më është lutur: “Aman të lutem më shpëto!”. “Aman te lutem te shtyhen zgjedhjet!”. Me erdhi shumë këq për gjendjen ku ndodhej. Erdhi në Gjermani, ku unë ndodhesha për vizite zyrtare, sepse gjermanët e thirren dhe i tërhoqën veshin: “Nuk duam asnjë shashkë!”, “Nuk duam më dhunë në mitingje!”. Pse? Sepse gjermanët kishin vullnetin të na ndihmonin për hapjen e negociatave me BE. Gjykova që për hir të së ardhmes europiane të vendit, për të shmangur gjakderdhjen dhe përplasjen mes shqiptareve, të shtyja zgjedhjet vendore. Datën 13 tetor 2019, si date të re e caktoi z.Basha”, u shpreh Meta. /Gazeta SHQIP