“Krimet mjedisore nuk do tolerohen”/ Rama paralajmëron gjoba për qytetarët, vlerëson sërish kryebashkiakun e Lezhës

Pastrimi i territorit është kthyer në një prioritet të qeverisë, ndërsa kryeministri deklaroi se ndotja e mjedisit është një sfidë e cila duhet të trajtohet me seriozitet.
Gjatë një takimi që pati me kryebashkiakët e qyteteve bregdetare, kërkoi menaxhim më të mirë nga bashkitë, ndërsa nuk la pa vlerësuar sërish kryebashkiakun Pjerin Ndreu, për punën që është bërë në Lezhë në lidhje me menaxhimin e mbetjeve.
Kryeministri u shpreh se do të ketë një aleancë me bashkitë që nuk e përballojnë dot pastrimin, ndërsa ritheksoi se Policia e Shtetit duhet të përfshijë më shumë në punën e saj të përditshme krimin mjedisor.
“Vitin e ardhshëm do të fillojmë me katër zonat më kritike për të vijuar me zonat bregdetare. Por ka një tjetër arsye për të reflektuar sepse kemi një model që e bën më shqetësues situatë që tregon që përtej të gjitha shtrëngimeve financiare, lidershipi i Bashkisë dhe organizimi luan një rol që mund të arrijë deri në pikën që mund t’i kapërcejë këto probleme. Në Bashkinë e Lezhës kemi pasqyre ndryshe nga pjesa tjetër dhe as nuk ka ndonjë taksë marramendëse për pastrimin apo mbështetje speciale nga qeveria.
Por ka një skemë organizimi përmes së cilës arrin të garantojë, ndoshta jo 100 % të shkëlqyer, por është një kuotë të lartë pozitive. Sezonin e ardhshëm është mirë të adresojmë edhe problemin e pastrimit të plazheve. Është e domosdoshme që sëbashku të adresojmë edhe aspektin e ndëshkimit, gjobave. Por në fund të ditës i gjithë ky zinxhir nuk funksionon nëse Policia e Shtetit nuk e përfshin krimin mjedisor si pjesë e punës të përditshme dhe vazhdon të ketë dobësi”, tha Rama.
Kryeministri paralajmëroi qytetarët se do të gjobiten në rast se ndotin mjedisin.
‘Është shumë e qartë që pastrimi ka një kosto që është më e lartë përgjithësisht se çfarë bashkitë i faturojnë qytetarëve dhe biznesit. Në vend që të fillojnë nga vetja, e fillojnë direkt me fjalinë ne paguajnë taksa bashkitë nuk na përgjigjen. Kontributet përmes tarifave të pastrimit të familjarëve dhe bizneseve janë në kostot e pastrimit për bashkitë. Kjo bën që nga njëra anë bashkitë të përballojnë me fonde ekstra nga ana tjetër të keni territore të pastruara edhe qeveria të jetë detyruar të rishikojë të gjithë skemën e funksionit të këtij procesi.
Atyre që në vend ta fillojnë nga vetja, sesa shumë e kanë ndotur duke hedhur plehrat e fillojnë me formulën vini gjoba, ose s’ka kosha, plehrat në rrugët kombëtare nuk kanë lidhje me koshat, sepse nuk ka kosha në rrugë kombëtare të asnjë vendi. Plehrat në rrugët kombëtare janë akte papërgjegjshëria të mijëra njerëzve që hapin dritaren e makinës dhe i hedhin.
Nga duhet një qasje më agresive në këtë fushë. Pastrimi do të jetë i pari. Aspekti tjetër ka të bëj me mbështetjen që do t’u japim ne bashkive. Të adresojmë edhe atë që qytetarët e kërkojnë me ngulm, gjobat. Në fund të ditës kjo nuk funksionon në rast s policia e shtetit nuk përfshin krimin mjedisor si pjesë të punës së përditshme.’– tha Rama.