Lojërat në Tik – Tok që po vrasin fëmijët, këshillat e ekspertëve: Si t’i mbrojmë të miturit nga rreziqet në internet

Një tjetër lajm tronditi Shqipërinë 2 ditë më parë, pasi një 13-vjeçar nga Lushnja u gjet i vetëvarur në banesë nga familja e tij, ndërsa po bënte një lojë në Tik – Tok.
Ngjarja riktheu alarmin në vend, duke nxjerr në pah problemin e sigurisë së fëmijëve në internet.
Eksperti i IT, Gent Progni, deklaroi në emisionin “Zona Zero” në Top News, se duhet të ngrihet një instituciomn që rregullon përmbajtjen në internet.
“E shoh situatën tragjike. Dhe do të përkeqësohet. Shpërndarja e informacioneve nga fëmijët në internet është e pashmangshme. Ka ardhur koha që të ngrihet një institucion, që rregullon “përmbajtjen” në internet. Nuk e kanë fajin aplikacionet, por vetë njerëzit. Kemi edhe aplikacione të mediave që nuk kanë limit moshe”, u shpreh ai.
Këshilla për prindërit, si t’i mbrojmë fëmijët
Gjëja e parë dhe më e rëndësishëm është që të komunikoni për gjithçka me fëmijët tuaj. Mos i trajtoni ata si të vegjël. Mbase iu duket e pabesueshme, por për shkak të zhvillimit të shoqërisë dhe teknologjisë, ata dinë thuajse gjithçka. Ndaj duhet të flisni hapur me ta për çdo temë. Kuptohet, me ndjeshmërinë dhe kujdesin më maksimal.
Ndaj duhet të vendosni raporte miqësor dhe korrekte me fëmijët tuaj. Tregojuni të gjitha gjërat për të cilat duhet të kenë kujdes teksa janë online, dhe të ndërmerrni masa të caktuara deri në atë shkallë e cila nuk do ta dëmtojë privatësinë e tyre, lirinë dhe të drejtën e përzgjedhjes.
Balancën e vërtetë në mes të masave që do të ndërmerrni dhe privatësisë, të drejtave dhe lirive të fëmijëve tuaj, mund ta caktoni vetëm ju, edhe atë në përputhje me moshën e tyre, kushtet dhe vetë fëmijët.
Disa hapa praktikë
-Edukojini fëmijët tuaj, tregojuni gjithça mbi internetin. Tregojuni sesi funsionon. Tregojuni se përveç atyre që e përdorin për qëllime të mira, në internet ka edhe keqbërës.
-Mos dërgoni kurrë foto tek të panjohurit si dhe mos u jepni të dhënat tuaja personale. Prindër është shumë e rëndësishme që fëmijët tuaj të mos ndajnë asnjë informacion me persona të panjohur në intenet. Duhet të flisni shtruar dhe qartë mbi rreziqet që mund të ketë ky veprim.
-Caktoni disa rregulla themelore. Fëmijët duhet të dinë në cilat kushte, në cilën periudhë dhe në cilën mënyrë mund ta përdorin internetin. Këto kushte përcaktojani ju. Filloni për shembull me atë se internetin mund ta përdorin vetëm pasi t’i kenë përfunduar detyrimet shkollore.
-Vendosni orare. Fëmijët tuaj nuk duhet të qëndrojnë pafundësisht në kompjuter apo me telefon në dorë. Në rast se telefoni I tyre bie pa pushim dhe në rast se nuk e lënë telefonin në ambiente publike, ku mund ta shihni edhe ju, mund të ketë diçka për tu shqetësuar. Fëmijëve nuk duhet t’u lejoni të kalojnë më shumë se 1-2 orë në ditë para monitorit të kompjuterit. Për fëmijët deri në moshë 7-vjeçare, më mirë është të shfletoni së bashku me ta.
-“Lundrimi” në internet të bëhet në ambient të hapur. Është e rëndësishëm, që kompjuteri të vendoset në një vend qendror, ku mund të shihet me sy nga të gjithë. Kjo mund t’iu ndihmojë për të parë rastet kur fëmijët mund të hasin në përmbajtje të rrezikshme, apo që nuk korrospondojnë me interesat e tyre.
– Mësojini fëmijët tuaj se interneti nuk duhet të zëvendësojë aktivitetet sociale dhe fizike në natyrë./Gazeta SHQIP