Masakra me tre të vrarë në Kosovë/ Reagojnë Rama, Meta dhe Basha: Jemi thellësisht të tronditur

Politika shqiptare ka reaguar për masakrën në Kosovë ku mbetën të vrarë 3 persona, dy nxënës dhe shoferi i një autobusi.

Kryeministri Edi Rama, teksa shpreh ngushëllime për tragjedinë,shkruan se autorët duhet të marrin ndëshkimin më ekstrem të drejtësisë.

“Jetët e marra në Kosovë nga plumbat e një egërsie që meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë, na kanë brengosur të gjithëve. Ngushëllime vëllazërore familjeve të goditura në zemër nga humbja absurde. Kurajo e mbështetje institucioneve të Kosovës në këtë moment sfidues”, shkruan Edi Rama.

Për rastin ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta. Ai u ka uruar ngushëllim të plagosurve ndërsa ka bërë apel për kapjen e autorëve.

“Thellësisht i tronditur nga akti kriminal në Gllogjan të Deçanit, ku sipas të dhënave paraprake raportohet për tre humbje jete dhe një të plagosur. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e plotë familjeve të të vrarëve dhe të gjithë popullit të Kosovës, duke bashkëndarë me ta dhembjen e madhe për këtë ngjarje shumë të rëndë. Të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë dhe përgëzoj ekipet mjekësore për përkushtimin dhe profesionalizmin, që po dëshmojnë! Kam besimin e plotë se institucionet përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës do të zbulojnë sa më parët autorët, që meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor”- shkruan ai.

Edhe kreu i partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për sulmin në Kosovë.

“Dhimbje dhe trishtim për ngjarjen e sotme në Deçan. Ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave. Shërim të shpejtë nxënësit që po merr ndihmën mjekësore. Jam i sigurt se autoritetet do bëjnë gjithcka për zbardhjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi makabër”, shkruan Basha./Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT