Më 25 nëntor hiqet çadra e vaksinimit nga sheshi “Skënderbej”/ Ja ku do të zhvendoset

Sheshi “Skënderbej” në kryeqytet nuk do të shërbejë më si pikë vaksinimi për qytetarët.
Shërbimi i vaksinimit në këtë pikë do të transferohet pranë qendrave shëndetësore si dhe pikës së vaksinimit të përqëndruar në stadiumin “Air Albania”.
Lajmi është konfirmuar nga ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
“Vaksinimi në sheshin “Skënderbej” zhvendoset pranë qendrave shëndetësore. Duke filluar nga dita e enjte, datë 25 Nëntor, ekipi i vaksinatorëve dhe mjekëve do të jetë në shërbim pranë qendrave shëndetësore si dhe në Stadiumin “Air Albania”, aty ku do të vijojë ÇDO DITË vaksinimi antiCOVID.
Për të kryer vaksinën #antiCOVID, kontaktoni mjekun tuaj të familjes”, lajmëron ministria.
Vaksinimi anticovid është i hapur për fëmijët 12-15 vjeç me frenim të imunitetit si dhe për çdo qytetar mbi 16 vjeç. Aktualisht po kryhet edhe doza e tretë e vaksinës antiCOVID, sipas rekomandimit të mjekut të familjes.