Përfundon seanca në Kushtetuese/ A do të jetë kandidate për kryetare bashkie? Ja si përgjigjet Voltana Ademi

TIRANË – Ka përfunduar seanca e shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese për legjitimitetit të zgjedhjeve vendore të mbajtura në 30 qershor 2019, zgjedhje në të cilat opozita nuk mori pjesë.
Gjykata Kushtetuese nuk ka dalë ende me një vendim konkret lidhur me legjitimitetin e zgjedhjeve lokale.
Sipas ligjit, pas shqyrtimit, gjykata ka kohë deri në 1 muaj për të shpallur vendimin.
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka dhënë një prononcim për mediat pas përfundimit të seancës në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
E pyetur nga gazetarët e pranishëm nëse do të jetë ajo sërish kandidate për kryetare Bashkie, nëse Gjykata Kushtetuese vendos ripërsëritjen e zgjedhjeve, Ademi u përgjigj:
“Duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë. Kërkesa jonë mbetet kjo. Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë dhe përgjithësinë të kenë zgjedhje të rregullta zgjedhore, këtë shpresojmë të konkludojë Gjykata Kushtetuese”.
“VENECIA” dhe Kushtetuesja
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese iu drejtua Komisionit të Venecias për të marrë një opinion final në lidhje me zgjedhjet, në të cilat opozita nuk mori pjesë.
Çështja për zgjedhjet e 30 qershorit ishte pezulluar në pritje të përgjigjes nga Komisioni Venecias. Shoqata e Bashkive i është drejtuar me një padi gjykatës Kushtetuese përmes së cilës kërkon ripërsëritjen e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Në përcaktimin e seancës që rikthen çështjen për shqyrtim, Kushtetuesja argumenton se është konstatuar se ka rënë shkaku i pezulit të procesit, kjo për faktin se Komisioni i Venecias iu përgjigj pyetjeve të gjykatës.