Përplasja për degën e Korçës/ Spaho akuzon se në mbledhjen e Kryesisë nuk ishin demokratët

Edmond Spaho hodhi poshtë deklaratën e degës së Partisë Demokratike të Korçës, që e akuzoi atë për mashtrim me qëllim përçarjen e demokratëve. Sipas deklaratës së kësaj dege, të shtunën u zhvillua mbledhja e kryesisë së partisë në këtë qark me kuorum dhe sipas statutit.
Por, Spaho deklaron se ka foto dhe prova të tjera që të pranishmit në dy mbledhjet e mbajtura në Korçë dhe Maliq, ku i pranishëm ishte edhe deputeti Ervin Salianji nuk ishin anëtarët e kryesisë.
“Kryesia e Degës së PD Korçë reagoi ndaj statusit tim të djeshëm me një fletërrufe të shkruar nga mitrolozi, ku përpiqen të “hedhin” poshtë të vërtetën që ju kam thënë, që ata janë më keq se pakicë. Unë disponoj fotot nga të dy takimet që mitrolozi pa fishekë u përpoq të zhvillonte. I bëj thirrje mitrolozit të bëjë publik emrat e pjesëmarrësve në mbledhjet e Kryesive në Korçë e Maliq meqënëse paskan mbajtur edhe protokoll. Nëse nuk i kanë emrat jua jap unë”, shkruan Spaho.
Deputeti demokrat, e mbyll reagimin duke thënë “mirupafshim në 11 Dhjetor në Kuvendin e të ardhmes së PDSH, ku do shihni zjarrin e vërtetë të strukturave të PD të Qarkut Korçë”.
Më herët, ishte Partia Demokratike që përmes një komunikate tha se “deklaratat e drejtuesit politik të Korçës, Edmond Spaho, në lidhje me mbledhjen e Kryesisë së Degës së PD Korçë janë të pavërteta, keqinformuese dhe keqdashëse. Përmes mashtrimit të qëllimshëm, deklaratat e zotit Spaho synojnë manipulimin e publikut dhe përçarjen e demokratëve”.
“Mbledhja do te kishte qenë një rutinë e punës sonë 30 vjeçare, nëse drejtuesi politik i qarkut nuk do të kishte mbajtur qendrim spekulues dhe fyes ndaj shumicës së anëtarëve të kryesisë së degës Korçë. Në respekt të votuesve korçarë, por edhe të demokratëve dhe qytetarëe që ndjekin me shqetësim zhvillimet në PD, deklarojmë me përgjegjësi se kryesia e Degës Korçë nuk ka patur asnjëherë 62 vetë dhe se dega nuk ka patur kurrë 33 Grup Seksione. Zoti Spaho e di shumë mirë që numri i delegatëve për Kuvendin Kombëtar nuk vendoset me mesatare. Ai e di shumë mirë se të gjithë anëtarët e kryesisë kanë mandat të ligjshëm dhe nuk mund t’ua vërë në diskutim askush për interesa personalë”, tha PD.