Përplasja/ Zbardhet aksidenti i eskortës së Sali Berishës, kush është i riu që po hetohet nga policia

Policia e Lezhës ka vënë në hetim një 24 vjeçar nga Kosova, i cili u përfshi mbrëmjen e djeshme në një aksident me dy makina të eskortës së Sali Berishës.
Aksidenti ku u përfshinë tre makina ka ndodhur teksa ish-kryeministri po kthehej nga “Foltorja” që zhvilloi me demokratët e Kurbinit.
Policia njofton se shkak i aksidentit është bërë manovra e gabuar e mjetit tip ‘Benz’ që drejtohej nga 24-vjeçari, Ardi Mulliqi nga Kosova.
“Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë proceduan penalisht shtetasin A.M., 24 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë. Ky shtetas, në aksin rrugor Milot-Thumanë, në Fushë Mamurras, duke drejtuar automjetin tip “Benz ” ka goditur mjetin tjetër tip “Benz ” me drejtues shtetasin S.L., 28 vjeç, banues në Tiranë dhe ky i fundit ka goditur mjetin shoqërues të deputetit S.B. Të 3 automjetet qarkullonin në një sens lëvizjeje, në korsinë e shpejtësisë.
Si pasojë e goditjes kanë marrë dëmtime të lehta drejtuesi i mjetit shtetasi A.M., dhe pasagjerët në këtë mjet E.S.,dhe A.M., banues në Kosovë, të cilët pasi kanë marrë mjekim në spital, janë larguar për në banesë”, njofton policia.
Dje, Ervis Tusha, truproja i Berishës, tha se shkak i aksidentit ishte ‘Benz’-i i bardhë me targa kosovare/ Gazeta SHQIP