“Pro bashkimit me Shqipërinë”, reagon Mustafa pas deklaratës së Kurtit: S’ia shoh për të madhe, ai di të manipulojë…

Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka folur për deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se do të votonte pro për bashkimin e Shqiërisë me Kosovën.
Për “gazeta express”ai tha se nuk e sheh për të madhe deklaratën e Kurtit.
“Kurti po përshtatet me realitetin. Nuk është problem i tij ndryshimi i qendrimit për bashkimin kombëtar, me transformimin e rolit nga prijësi në atë të votuesit, por problemi qëndron te ata që i kanë besuar. Ashtu siç nuk qëndron problemi te ata që krijuan kauzën e rrejshme për humbjen e 8.200 hektarëve me marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe i lanë qytetarët pa liberalizim të vizave e të ngujuar në geto, por te ata që në mënyrë të verbër i besonin kësaj kauze.
Dhe çfarë po ndodhë sot? Erdhën në pushtet të gjithë ata që krijuan këto kauza dhe nuk e bënë as më të voglin hap për to. Pse? Sepse ishin të rrejshme. Sot sillen sikur të mos kanë ekzistuar. Qytetarët mbetën të izoluar ndërkaq ka ende trularë që besojnë në 8.200 hektarë, e ata që i kanë mashtruar janë graduar me pozita të larta: President, Kryeministër, deputetë, kryetar komune.
Prandaj nuk ia shoh për të madhe z. Kurti as deklaratën e sotme, sepse ai ka ditur ti manipulojë masat; që ka qenë qëllim i tij për të ardhur në pushtet. Ai nuk ka qenë aq i pamend që mos ta di se çfarë mundet e çfarë jo kur të vijë në pushtet. Besimtarëve të tij iu mbete të ngushëllohen me iluzionet e tyre dhe të pajtohen me mashtrimin”, tha Mustafa.