Pse drejtoi fushatën e LSI-së si President i zgjedhur? Meta e zbulon 4 vite më vonë: E bëra për demokracinë

Gjysma e parë e majit të 2017-s ishte e ngarkuar me zhvillime të vrullshme politike. Ilir Meta dhe LSI ishin në koalicion me Edi Ramën, ndërsa Lulzim Basha dhe Partia Demokratike kishin ngritur prej gjysmës së muajit shkurt një çadër proteste para Kryeministrisë, ku kërkonte zgjedhje pa Edi Ramën kryeministër.
Përpjekjet për të ulur palët në bisedime ishin edhe ndërkombëtare, përmes një delegacioni të Parlamentit Europian të udhëhequra nga David Mçallister. Kur kanë kaluar më shumë se katër vite, Ilir Meta zbuloi se ishte pikërisht ai që e thirri Mçallister.
Por, as ajo që u quajt “Paketa Mçallister” nuk u pranua nga Basha dhe sot, Ilir Meta flet për një plan të përbashkët Rama-Basha që synonte asgjësimin e LSI-së. Meta thotë se nga me këtë plan Basha pastronte Partinë Demokratike nga rivalët e brendshëm.
Pjesë të këtij plani, Meta deklaron se ishte edhe marrëveshja e 17 majit 2017-të, që çoi në zgjedhjet e 25 qershorit me ndryshimin se ishin djegur të gjitha afatet për regjistrimin e koalicioneve. Meta zbuloi tani se nëse këto afate do të ishin respektuar, LSI do të hynte në zgjedhje në koalicion me PDIU-në.
Ai thotë gjithashtu se pikërisht ndalimi i koalicioneve e detyroi që të drejtonte fushatën e LSI-së, ndonëse ishte zgjedhur President i vendit. Meta deklaron se këtë nuk e bëri vetëm për LSI-në, por edhe për të shpëtuar demokracinë e vendit.
“Gjërat do të shkonin ashtu siç do të shkonin, LSI do të shkonte në zgjedhje, ndoshta vetëm, ndoshta në koalicion me PDIU-në. Por, gjërat rrodhën ashtu siç rrodhën dhe u ndaluan koalicionet dhe u detyrova që të drejtoj fushatën e LSI-së. E bëra atë jo vetëm për LSI-në, por edhe për demokracinë”, tha ai.