Rrëzimi i Zaev, a do ta zhbëjë Open Ballkan?

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut prodhuan një zhvillim të pazakontë, Zoran Zaev iu mbajt premtimit të tij për të dhënë dorëheqjen në rast se nuk do të fitonte kryeqytetin, Shkupin. Disfata e thellë e partisë së tij socialdemokrate LSDM po shkakton një tërmet politik në Maqedoni, edhe pse Zaev në deklaratën e tij u shpreh se nuk do të donte që vendi i tij të shkonte në zgjedhje të parakohshme, duke nënkuptuar se kryeministër do të jetë një tjetër kandidat brenda partisë së tij.

Por largimi i Zaev ka ngritur disa pikëpyetje? Së pari mbi stabilitetin politik në Maqedoninë e Veriut. Nëse vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme ose jo? Zaev ka mbledhur aleatët e koalicionit dhe gjasat janë se nuk do të pranohet zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme. Kjo do të shkaktojë jo pak trazira politike në Shkup.

Pikëpyetja e dytë lidhet me stabilitetin e Ballkanit. Një fqinj i trazuar mund të ketë ndikim dhe në rajonin e brishtë të Ballkanit.

Pikëpyetja e tretë lidhet me fatin e nismën Open Ballkan. Kjo iniciativë është e mbështetur fuqishëm nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev. Këto tre shtete janë bërthama kryesore e kësaj iniciative, pasi tre shtetet e tjera kanë mbetur jashtë, si Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina.

Largimi i Zaev vë në dyshim këtë nismë, pavarësisht se kryeministri mund ti takojë LSDM-së, por ai ka qenë një ndër promotorët e kësaj nisme. Por edhe nëse vendi shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, e nëse opozita vjen në pushtet, VMRO-DPMNE, atëherë kjo iniciativë mund të rrëzohet, sigurisht kjo varet nga vullneti i shumicës së re qeverisëse së Shkupit.

Pikërisht ky shqetësim duket se ka qenë në fokusin e takimit në Gllasgou të Skocisë mes Vuçiç e Ramës, të cilët kanë “harruar” samitin për klimën, duke u fokusuar te kriza e re politike në Maqedoninë e Veriut dhe te fati i Open Ballkan.

Kreu i shtetit serb përmes një postimi në Instagram bëri të ditur se për takimin e radhës që ishte planifikuar në Beograd duhet që të merren parasysh ngjarjet e fundit në Shkup ku kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dje ka dhënë dorëheqje.

“Mbështetje e fortë për Ballkanin e Hapur. A duhet të mbajmë apo të shtyjmë takimin në Beograd, duke marrë parasysh ngjarjet në Shkup”, ka shkruar Vuçiç.

Më datën 3 dhe 4 nëntor ishte parashikuar samiti i radhës i Open Ballkan në Beograd. Ky samit mund të ketë fatin e anulimit për herë të dytë, për shkak të këtij zhvillimi të papritur. Herën e parë një muaj më parë, ky samit u anulua për shkak të konflikt të nisur në veri të Mitrovicës për targat, vendosjen e reciprocitetit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Open Ballkan ndërkohë është nismë që edhe nga ndërkombëtarët po kërkohet që të përfshijë të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, duke mos qenë e pjesshme./ Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT