Rruga e Arbrit/ PD: Nuk ka përfunduar, qeveria të flasë për taksën 8 euro që do të paguhet

Partia Demokratike e cilëson si një premtim të pambajtur të qeverisë Rama mos përfundimin e rrugës së Arbrit sipas afateve të përcaktuara. Deputetja e PD-së, Dhurata Çupi me anë të një reagimi të saj shprehet se hapja e sotme është pjesë e propagandës së qeverisë.

“Nxitimi për të shpallur, në ditën e ndarjes së shqiptarëve, hapjen e Rrugës së Arbrit, kur rruga akoma nuk ka mbaruar sipas kontratës, është, më e pakta, tallje me dibranët. Dështimi i qeverisë për të mbajtur premtimin e përfundimit të rrugës në prill dhe dështimi i premtimit për ta përfunduar rrugën në fund të këtij viti nuk mund të mbulohet nga propaganda e qeverisë”, shkruan deputetja demokrate, e cila poston një foto me rrugën e çarë, të papërfunduar.

Ajo ngre aludimet se rruga do t’i kushtojë së tepërmi banorëve të zonës, pasi duhet të paguajnë 8 euro për çdo udhëtim të kryer nga Dibra drejt Tiranës.

“E vërteta është se rruga që na ka kushtuar 400 miliardë lekë është e papërfunduar dhe hapja e sotme është propagandistike. Në vend të mashtrimeve, qeveria duhet t’u thotë dibranëvë dhe shqiptarëve a do të paguajnë ata deri në 8 euro për një udhëtim vajtje-ardhje në Rrugën e Arbrit, kur rruga të përfundojë sipas kontratës?!”, shkruan demokratja.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT