“S’kishte fytyrë të më shihte në sy, i vinte inat që unë bëra spitalin”/ Me kë kryeministër e ka Behgjet Pacolli?

Sipërmarrësi i njohur Behgjet Pacolli foli sot në “Breaking” në Top News, për investimet që ka bërë në Shqipëri e Kosovë.
Teksa nisën punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, Pacolli tha se nuk ka pse në Kosovë t’u vijë keq për këtë investim, pasi deri më sot ai ka punësuar 5000 kosovarë në bizneset e tij.
Pacolli u shpreh se një ndër problemet që has është kur ndërrimi i qeverive i bllokon investimet.
Ai tha se kjo ndodh ndonjëherë për inat, pasi nuk janë mendjehapur dhe të mendojnë në të mirë të njerëzve.
“Politikanët shpesh nuk mendojnë për të mirën e njerëzve, ndërsa një sipërmarrës gjithmonë e ka mendjen e hapur për të mirën e tyre.
Unë mbaj mend që bëra një spital shumë modern në QKUK, pediatri të re por shumë moderne, dhe më mbetën mallrat në Durrës. Se kur u mor vesh se kush po e bën këtë investim u bë bllokimi i importimit me qëllim.
Dhe ndodhi që gjysma e pajisjeve moderne për spitalin u prishën për shkak të kushteve klimatike, e u desh të paguanim sërish për t’i marrë mjetet.
Dhe kur shkova për përurimin atje, as ma përmendën emrin në asnjë moment, ndërsa një koleg i imi i tha me ironi kryeministrit se ‘ky investim na erdhi nga qielli’,” tregoi Pacolli.