Vrasja e trefishtë në Deçan / Ende asnjë pistë për autorët dhe motivet e sulmit

Kur kanë kaluar tri ditë nga vrasja misterioze e tre personave në Gllogjan të Kosovës, ende nuk ka të arrestuar, e as të dyshuar për këtë vepër.
Hetimet po vazhdojnë, ndërsa Policia e Kosovës ka përjashtuar mundësinë që ky akt të jetë veprim terrorist.
“Nuk ka arsye se ngjarja në Deçan të jetë akt terrorist. Policia ka arsye për të besuar se sulmin e ka kryer një person i vetëm”, thuhet në deklaratën e policisë.
Ndërkohë, Prokuroria është në fazën fillestare të hetimit. Deri më tani ky krim juridikisht është cilësuar vetëm si vrasje e rëndë.
Prokuroria e Pejës ka arritur të identifikojë një detaj sa i përket armës me të cilën është kryer krimi. Sipas kryeprokurorit Agim Kurmehaj karikatori me të cilin është gjuajtur autobusi nuk është shpenzuar i tëri.
“Në bazë të gëzhojave që janë gjendur ne mund të japin një supozim. Si informatë fillestare dhe në bazë të gëzhojave të gjendura, janë zbrazur diku gjashtë apo shtatë plumba”, ka deklaruar Kurmehaj për RTV Dukagjinin.
Nga Prokuroria Speciale thonë se rasti ende nuk ka kaluar në duar të tyre, por në rast se do të klasifikohet si sulm terrorist, kjo do të ndodhë.