A mund të jetë Lulzim Basha e ardhmja e PD?

Të paktë janë ata që mund të kenë dilemën që Sali Berisha, pas 3 dekadave në politikë dhe në drejtimin e Partisë Demokratike është e ardhmja e kësaj partie. Por, pyetja ngrihet, po Lulzim Basha a është?
Nëse llogarisim vitet e karrierës në poste të larta drejtuese të Lulzim Bashës, kësaj pyetjeje vështirë se mund t’i përgjigjemi me “Po”.
Një 30-vjeçar nga ata pak që nuk kanë emigruar ndër vite në vend, gjysmën e jetës e ka kaluar me Lulzim Bashën në ekran, për mirë apo për keq qoftë. Basha, si pjesë e KOP-it të famshëm e nisi karrierën në 2005.
Pas fitores së PD-së në atë zgjedhje u emëruar ministër i Transporteve. Këtu i plasën në dorë akuzat për korrupsion në këtë rrugë, vlera e të cilës të paktën u dyfishua në krahasim me përllogaritjen fillestare.
E vazhdoi si ministër i Jashtëm, ku do të mbahet mende më së shumti për atë firmë të hedhur në marrëveshjen e Detit me Greqinë, të rrëzuar më pas nga Gjykata Kushtetuese.
U katapultua te Ministria e Brendshme, nën përgjegjësinë e të cilës Garda e Republikës vrau më 21 janar 2011 katër qytetarë të pafajshëm në protestën e asaj dite tragjike.
Iku nga ministria dhe fitoi me 10 vota Bashkinë e Tiranës përballë Edi Ramës. Ky i fundit u shpall fitues me numërimin paraprak me rreth 80 vota diferencë, por një manovër ekstraligjore e mbështetur në atë kohë nga kryeministri Sali Berisha për të numëruar votat e hedhura në kutitë e gabuara i dha fitoren me dhjetë vota para.
Në 2015 zgjodhi të mos kandidojë përballë Erion Veliajt. Qëndroi dy vite “vetëm” me postin e drejtuesit të opozitës, për t’u zgjedhur deputet në 2017-n. Dogji mandatet në 2019-n dhe u rikthye sërish në 2021 në Kuvend.
Kjo është shkurtimisht karriera e Lulzim Bashës në politikë. Ai sot bëri një “mea culpa” duke kërkuar ndjesë pse nuk përjashtoi më herët Sali Berishën. Sinqeriteti i ndjesës duhet parë në kontektsin e ngjarjeve që po ndodhin në PD.
Legjitimiteti i Bashës në krye të Partisë Demokratike është cunguar ndjeshëm nga lëvizja e Berishës, që në kohën që Basha me kuvendin e tij e përjashtonte nga partia, votonte në një referendum “ratifikues” të shkarkimit të Bashës.
Ashtu si sinqeriteti i Bashës në ndjesën e kërkuar me rezerva duhet parë edhe sinqeriteti i Berishës, kur thotë se po e ndërmerr këtë lëvizje për të shpëtuar Partinë Demokratike. Ata janë që të dy protagonistët që gjendjes së PD-së, bashkëfajtorë ndoshta për herë të fundit, pas ndarjes së fajeve për Rrugën e Kombit, marrëveshjen e Detit dhe 21 janarin.
Prandaj, nëse njëri prej tyre do të ketë në dorë të ardhmen e Partisë Demokratike, horizonit për këtë parti duket i zymtë dhe me shtrëngata në sfond./Gazeta Shqip