Akuzat për “refuzim vize” dhe ftesa për të vizituar SHBA-të/ Mesazhet e forta nga takimi i Escobar me Lulzim Bashën

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, i ka dhënë sot fund aludimeve se kryetarit të PD-së Lulzim Basha mund t’i jetë refuzuar viza për në SHBA.

Gjatë takimit që zhvilloi me kreun e opozitës shqiptare në selinë e PD, ku e pranishme ishte edhe ambasadorja Yuri Kim, Escobar ftoi publikisht Lulzim Bashën për një vizitë në Washington.

“Pres me kënaqësi që të takoj Bashën në Uashington sa më shpejt të ketë mundësi”, tha Escobar, duke shuar zërat nëse kryedemokrati mund të kalojë oqeanin.

Lideri i PD, tha se ftesa për të vizituar SHBA-të ka qenë e përsëritur, dhe konfirmoi se po planifikon një vizitë së shpejti.

“Është një ftesë e përsëritur dhe po planifikoj një vizitë në Uashington, në mënyrë që të shtyjmë përpara objektivat e PD, por edhe daljen nga kjo gjendje dëshpërimi, plogështie që ka shkaktuar 25 prilli, dhe ecjen e Shqipërisë përpara me reforma, zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Lulzim Basha për gazetarët.

Kryedemokrati pranoi se temë diskutimi në selinë blu ka qenë edhe vendimi i SHBA për të shpallur non grata ish-kryeministrin Sali Berisha. Basha tha se diskutoi me zyrtarin amerikan për luftën kundër korrupsionit, tashmë të përcaktuar si interes kombëtar i Shteteve të Bashkuara.

“Pa diskutim që çështja e ndëshkueshmërisë, sikundër politikat e sanksioneve non grata, ishin pjesë e diskutimit. Sa i përket çështjeve që i takojnë vendimeve të DASH, jam i bindur se do të dëgjoni drejtpërdrejt nga Escobar për qëndrimet e DASH”, tha Lulzim Basha.

Ish-kryeministri është shpallur “non grata” nga SHBA “për korrupsion madhor”, akuza të cilat Sali Berisha i mohon.

Pas SHBA, Sali Berisha u shpall “non grata” edhe nga PD, vendim të cilin e kundërshtoi, ndërsa aktualisht po punon për të marrë vetë drejtimin e partisë demokratike.

Akuzat për refuzimin e vizës

Analistë dhe politikanë kanë deklaruar se Lulzim Bashës i është refuzuar viza për në SHBA, edhe pse nuk pati asnjëherë prova për këtë gjë.

Një akuzë e tillë është bërë edhe nga, ish kandidatja për kryetare të Partisë Demokratike, Edith Harxhi gjatë një interviste televizive.

Ajo pati deklaruar se Lulzim Bashës ka 4 vjet që i refuzohet viza amerikane.

“Herën e fundit që Basha ka qenë në SHBA ka qenë maji i 2017-ës kur bëri atë foton me Trump dhe që hapi shumë debate sepse u paguan ca lekë nuk e di si u paguan. Që nga ajo kohë Basha nuk ka shkuar më në SHBA.

Duhet të dini një gjë. Nuk fiton dot zgjedhjet në Shqipëri nëse përpara tyre nuk bën një vizitë në SHBA. Edhe Berisha kur mori pushtetin në 2005-ën pati një vizitë në SHBA përpara tyre.

E di shumë mirë që Bashën e kanë ftuar nëpër konventa të republikanëve dhe aktivitete të tjera dhe nuk mundur dot të shkojë sepse i është refuzuar viza” – tha Harxhi gjatë një interviste.

Kim: Nëse Berisha bëhet kryetar, SHBA ndërpret marrëdhëniet me PD-në

Pak javë më parë, ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërpresin marrëdhëniet me Partinë Demokratike, nëse kryesimin e saj e merr ish-kryeministri Sali Berisha.
Në një intervistë për Top Channel, ambasadorja amerikane tha se nuk mund ta imagjinojnë një skenar ku ajo apo ndonjë nga pasardhësit e saj të pretendojnë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojnë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor.

“Nuk ka për të ndodhur”, tha Kim.

“Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur”, ka deklaruar ambasadorja.

Ajo pati konfirmuar gjithashtu mbështetje të fortë për Lulzim Bashën, të cilin e njeh si kryetarin legjitim të PD-së.

“Njohim personin e zgjedhur rregullisht si Kryetar i asaj Partie dhe unë do të vazhdoj të shkoj ta takoj Z. Basha në cilësinë e tij si Kryetar i Partisë. Siç e patë, ligjvënësit dhe vizitorët e tjerë nga Uashingtoni do të bëjnë të njëjtën gjë”, ka deklaruarajo./ Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT