Alqi Bllako i kthen përgjigje Kryemadhit: Kam dy fjalë për pronarët e LSI-së!
Deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako u ka kthyer përgjigje akuzave të LSI-së dhe kryetares së saj, Monika Kryemadhi. Ai thotë se është “vendosur në shënjestrën e pronarëve të LSI-së për hakmarrje personale”.
Bllako hedh poshtë akuzën për rolin e tij në koncesione, apo kontrata PPP gjatë periudhës kur ka qenë sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit.
“Nuk kam pasur asnjë rol në dhënien e asnjë kontrate konçesioni, gjatë ushtrimit të detyrës, si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit. Ligji i Konçesioneve dhe Partneritetit Publik Privat përcakton se Sekretari i Përgjithshëm, nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në proçedurë, nëse nuk është pjesë e komisionit përgjegjës për dhënien e konçensionit. Nuk kam qenë kurrë anëtar i 3 komisioneve përgjegjëse për dhënien e 3 konçensioneve, për të cilat hidhen akuza. Nuk kam marrë pjesë kurrë në asnjë prej mbledhjeve të zhvilluara nga këto komisione”, thotë ai.
Deputeti hedh poshtë akuzën duke thënë gjithashtu se në kohën që është shpallur fituesi i impiantit të Tiranës nuk ishte në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit.
“Gjatë kohës së shpalljes së fituesit për impiantin e Tiranës nuk ushtroja detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit. Fituesi është shpallur në 17 Gusht 2017 dhe kontrata është lidhur në 31 Gusht 2017. Kam ndërprerë mardhëniet e punës në Ministrinë e Mjedisit më 27 Korrik 2017 dhe jam emëruar Sekretar i Përgjithshëm në Presidencë më 31 Korrik 2017.”, shkruan ai.
Sipas Bllakos, edhe AKUM, agjenci që e ka drejtuar nga 26 Shkurt 2019 deri më 05 Mars 2021 ka pasur zero lidhje me impiantin e Tiranës.
“Kjo agjenci nuk ka qene KURRË pjesë as në proçedurë, as në menaxhim. Kjo vlen njësoj për periudhat e si për drejtuesit para meje, ashtu dhe për ata pas meje. AKUM nuk ka asnjë rol në politikbërjen apo menaxhimin e mbetjeve. AKUM është agjencia përgjegjëse vetëm për ndërtim infrastrukture në sektorin e mbetjeve”, shkruan ai.
Në fund, Bllako hedh poshtë edhe akuzat e Kryemadhit në drejtim të të atit.
“Babai im nuk ka përfituar KURRË asnjë qindarkë prej meje. Im atë është një nga sipërmarrësit e parë në vitet ‘90. Si inxhinier mekanik, i specializuar për industrinë është profesionist dhe sipërmarrës i mirënjohur në këtë fushë prej 31 vitesh. Nuk ka ASNJË konflikt interesi timin me punën e kryer prej tij në Impiantin e Tiranës, punë që e ka filluar 1 vit e 3 muaj, pasi isha larguar nga Ministria e Mjedisit dhe ushtroja detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Presidencë. Im atë, ka lidhur një kontratë afatshkurtër me afat të përcaktuar, si përgjegjës për detajimin e projektit mekanik, pjesë kjo e projektit tërësor të zbatimit, projektim i ardhur nga një kompani ndërkombëtare”, deklaron deputeti.
“Zero vendimmarrje e imja në çdo hallkë të këtij procesi, zero konflikt interesi. Ata që akuzojnë kanë të drejtë vetëm për diçka: Folloë the money dhe shumë shpejt do të mbërrijmë në destinacion”, mbyll reagimin e tij, deputeti Alqi Bllako.