Berisha ashpërson tonet: Demokratët janë të gatshëm për revolucion! Lulzim Bashës i kemi nisur letrën e shkarkimit, të mos mendojë në asnjë çast…

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbërritur pasditen e sotme në selinë blu me mbështetës të tij dhe anëtarë të grupit të Rithemelimit të PD. Ai ka ashpërsuar tonet duke thënë se demokratët janë të vetëdijshëm për revolucion dhe të gatshëm në çdo moment për çdo gjë që do u kërkohet.

“Demokratët janë të vetëdijshëm se janë në një revolucion të pandalshëm, në një revolucion të një rëndësie jetike për fatin e demokracisë në Shqipëri. Ata mbeten të gatshëm në çdo kohë për të përmbushur çdo mision dhe çdo detyrë që do kërkohet në avancimin e kauzës sonë. Ndërkohë, Komisioni vendosi t’i komunikojë deputetit Lulzim Basha vendimet supreme të anëtarësisë së PD, aktin e shkarkimit”, tha Berisha.

Nga ana tjetër, ish-kryeministri paralajmëroi Lulzim Bashën që të mos mendojë në asnjë moment t’i kundërvihet vendimit të demokratëve për shkarkimin e tij.

“Si një akt protokollar dhe jo detyrim, sepse detyrimi është shpall para të gjithë shqiptarëve, deputetit Basha do t’i dërgohet një shkresë ku do të njoftohet me shkrim për këtë vendim. Paralajmëroj deputetin Basha të mos mendoj për një çast të vetëm t’i kundërvihet vendimit të referendumit më të gjerë që është mbajtur ndonjëherë në historinë e vendit”, u shpreh ai.

Pjesë nga deklarata e Sali Berishës:

Unë jam këtu për të paralajmëruar Policinë se revolucioni ynë paqësor nuk do të tolerojë dhunimin e të drejtave të njeriut dhe keqtrajtimin çnjerëzor të pjesëmarrësve në protesta apo në lëvizjet revolucionare. Mbrëmë deri në orën 1 të natës në qelitë e Komisariateve me urdhër të Edvin Kristaq Ramës janë mbajtur adoleshentë 15 vjeçarë por dhe burra të moshuar 84 vjeçarë.

Falenderoj anëtarët e Komisionit të përkohshëm që janë marrë me situatën deri në orën 1 të natës. Komisariati nr.1 nuk i ka keqtrajtuar të shoqëruarit, kurse narkopolicët e Komisariatit nr.2 e kanë bërë.

Sot, Komisioni i PD pas diskutimesh të gjera ka vendosur të fillojë menjëherë nga puna për zbatimin e vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit. Gjer më datë 22 mars të gjitha strukturat e Partisë duhet në përputhje me ndryshimet statutore të shndërrohen në struktura të anëtarëve të PD, ku ata do të vendosin me votë të lirë për drejtuesit e tyre.

Kjo është një punë intensive dhe pasioni i demokratëve është më i madh se kurrë. Demokratët janë të vetëdijshëm se janë në një revolucion të pandalshëm, në një revolucion të një rëndësie jetike për fatin e demokracisë në Shqipëri.

Ata mbeten të gatshëm në çdo kohë për të përmbushur çdo mision dhe çdo detyrë që do kërkohet në avancimin e kauzës sonë. Ndërkohë, Komisioni vendosi t’i komunikojë deputetit Lulzim Basha vendimet supreme të anëtarësisë së PD në aktin e shkarkimit.

Vendosën me votë të shenjtë 4446 delegatë. Si një akt protokollar dhe jo detyrim, sepse detyrimi është shpall para të gjithë shqiptarëve, deputetit Basha do t’i dërgohet një shkresë ku do të njoftohet me shkrim për këtë vendim.

Për të gjithë anëtarët dhe anëtaret e PD, Komisioni vendosi të njoftojë se anëtarësia e PD është në këmbë dhe e vendosur të zbatojë vendimin e saj. Paralajmëroj deputetin Basha të mos mendoj për një çast të vetëm t’i kundërvihet vendimit të referendumit më të gjerë që është mbajtur ndonjëherë në historinë e vendit.

Komisioni i përkohshëm do bëjë detyrën e tij për zbatimin e vendimit.

Ftoj çdo deputet të PD që e ndjen veten deputet të kësaj force politike dhe jo deputet të Lulzim Bravës, që e ndjen veten njeri të lirë, të vijë të marrë dosjen e votimit të degës nga e cila ai është zgjedhur deputet dhe të marrë vendimet e duhura.

Çdo akt në kundërshtim me këto vendime përbën një mungesë të plotë besnikërie politike ndaj atyre që kanë derdhur lumenj djerse për mandatin e tyre. I garantoj se do gjejnë një Parti krejtësisht tjetër nga ajo që kanë përjetuar këto dy muaj. Do të gjejnë një PD të njerëzve të lirë. Të drejtuesve të lirë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT