Berisha ironik: Deputeti Basha s’e ka mbledhur Këshillin Kombëtar, sallën e ka mbushur me punonjës të godinës

Sali Berisha vijoi Foltoren e tij me një takim online me demokratët në Florida të Shteteve të Bashkuara.
Ai nuk harroi të fliste edhe për Këshillin Kombëtar të zhvilluar nga PD në selinë e partisë ditën e sotme.
Ai thotë se nuk është mbledhur 1/3 e nevojshme për këtë këshill, si dhe shton se revolucioni i filluar për rivendosjen e vlerave konservatore nuk ka të ndalur deri në çmontimin e narko-shtetit.
“Beteja që ne zhvillojmë e ka të nevojshme bashkëpunimin me forcat konservatore, por në radhë të parë me ato të SHBA. De facto, këtu pluralizmi politik u fut në agoni. Ne jemi të inkurajuar gjithnjë e më shumë ne përpiqemi të bashkëpunojmë me Partinë Republikane të SHBA dhe në kuadrin e bashkimit demokrat ndërkombëtar që udhëhiqet nga Partia Republikane.
Ne nuk përballemi vetëm me deputetin Basha që nuk respekton asnjë normë, parim ligj, përkundrazi i marrë peng ai vepron sipas urdhrave që merr.
Sot, ai i shkarkuar komplet, thërret Këshillin Kombëtar në të cilin nuk paraqiten as 1/3 e anëtarëve dhe mbush sallën me punonjës të godinës apo individë të tjerë duke mashtruar publikisht, por pavarësisht këtyre, ju garantoj se ky revolucion i filluar për rivendosjen e vlerave konservatore nuk ka të ndalur. Ky revolucion siç çmontoi diktaturën do të çmontojë narko-shtetin shqiptar”, tha Berisha.