Berisha rikthen skemën e përçarjes kombëtare: Rama nuk e do as veriun dhe as Kosovën, të ngrihemi

Sali Berisha ka kthyer skemën e përçarjes kombëtare.
Nga qyteti i Bajram Currit ai ka thënë se shefi i qeverisë nuk e do veriun dhe Kosovën.
Berisha ftoi qytetarët që të bashkohen dhe të ngrihen.
“Vetvetiu i thashë vetes se njeriu i lirë në vendlindjen e tij është dy herë fëmija i natyrës. Kurse sapo mbërrita tek Hotel Shkëlzeni, Floriana Garo më pyeti, “Doktor si ishte udhëtimi për në Tropojë?” Gjysmë qiellor, gjysmë tokësor iu përgjigja unë asaj.
Unë shpesh e shpesh vij me mendjen time më shpesh se kudo në botë vij në vendlindjen time, por edhe më shpesh se çdo gjë tjetër i përsëris vetes çfarë fati të madh pata unë që linda në Malësi të Gjakovës.
Sot pas dekadash larg saj, pas dekadash në Tiranë dhe qindra e qindra shëtitjesh nëpër botë përsëri dua t’ju them se në vendlindjen time, unë kreva universitetin më të rëndësishëm të jetës sime, unë mora diplomën e të gjitha diplomave të jetës sime… në fillimet e memories sime, në familjen time, si në qindra dhe mijëra familje të Malësisë së Gjakovës, Nikajt, Mërturit, Dukagjinit, ekzistonin odat e burrave.
Nuk kishte radio, nuk kishte televizor, por të dashur të rinj, e gjithë jeta jonë kalonte nga shkollat tek oda, nga oda tek shkolla. Mirëpo cila ishte e vërteta?
E vërteta është që në odë, unë bashkëmoshatarët e mi, mëkoheshim me një dashuri të pafundme për vendin tonë dhe për Kosovën. Kosova për ata burra ishte toka e shenjtë”, tha Berisha.