Berisha sulmon Bashën: U thotë shqiptarëve që 2+2 bëjnë 5

Sali Berisha e cilëson Lulzim Bashën një ligësi progresive të pandalshme në politikë.
“Ky shëmbëllen si një njeri që në çdo fjalë dhe çdo ditë i heq vetes një cipë të ligësisë së tij. Njeriu mund të bjerë në kundërshti, mund të bjerë në armiqësi, por ka kufijtë për veten e tij, jo për kundërshtarin e tij. Kurse ky e lëshon veten në mënyrë të përditshme, në gjuhë me të cilën dëshmon se… koha është ajo që tregon të vërtetën, gënjeshtrën, virtytin. Ky çdo ditë shpalos një nga një këto aspekte të karakterit të tij, që gjeri sot është unik në historinë e politikës shqiptare”, tha Berisha në “Të Paekspozuarit”.
Sipas Berisha, Basha nuk ka asnjë esencë politikani dhe as integritet.
“Çdo politikan, në historinë 30 vjeçare, në çdo vështirësi që ka rënë, ka arritur të marrë vendime, të cilat në një formë apo tjetër, kanë treguar një nanogram integriteti politik. Njeriu ruan një esencë të politikanit. Kjo është e njëjta gjë që bën ky kur do të shesë ditën për diell, 2 mijë për pesë mijë. U thotë shqiptarëve që 2 mijë është 5 mijë”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri u shpreh se Basha “është në një ligësi progresive të pandalshme. Ndryshe nuk kam si e shpjegoj. Dostojevski ka një gjë interesante për gënjeshtrën. Ai thotë që njeriu që gënjen dhe arrin në fazën që i beson gënjeshtrat e tij, ky është njeri i rrezikshëm”.