Berisha zbulon hapin e radhës pas 11 dhjetorit: Thërrasim protesta kombëtare

Sali Berisha zbuloi hapin e radhës pas datës 11 dhjetor, duke nënkuptuar se mes vendimeve që do të marrë Kuvendi i thirrur prej tij do të jetë edhe ai i shkarkimit të Lulzim Bashës dhe marrjes së frenave të opozitës në dorë.
Ish-Kryeministri tha se po më 11 dhjetor do të vendoset për protestën që do të mbahet.
“Demokratët janë në këmbë më të fuqishëm se kurrë. Më 11 dhjetor në Kuvend do të përcaktojmë ditën e madhe të protestës kombëtare në të cilën ne do të shpallim kërkesat tona gjer në fitoren e plotë. Më 11 dhjetor ne së bashku do të votojmë një statut me të cilin kemi një qëllim themelor të rikthejmë pushtetin tuaj dhe votën e lirë”, tha ai nga Bilishti.
Ai konfirmoi se Kuvendi do të mbahet në stadiumin “Air Albania”, ndërsa akuzoi Bashën se ka fryrë qëllimisht numrin e delegatëve në Kuvend.
“Partia kryesore në Gjermani e ka Kuvendin me 930 delegatë, kurse peng Basha na e bëri kuvendin me 7600 delegatë që mos dijë kush që ku fillon dhe ku mbaron, mos merret vesh kush voton kush nuk voton, disa në sallë disa në lulishte”, u shpreh ai.