Gledis Nano me policët e rinj: Dikur kam qenë si ju, e kuptoj padurimin tuaj për të dalë në terren

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ishte i pranishëm sot në ceremoninë e certifikimit të Patrullës.
Përpara një grupi policësh që pritet të dalë në terren, Nano tha se punonjësi i policisë është shërbëtor i komunitetit dhe jo padron i tij.
Drejtori i Përgjithshëm shprehu mbështetjen e tij për të gjithë policët e rinj.
“Unë jam si një prej jush, që kam ndjekur të njëjtën rrugë. Dhe e di e padurimin tuaj për të dalë në terren. Punonjësit e policisë paguhen për t’i kushtuar vëmendje të plotë problemeve të qytetarëve.
Punonjësi i policisë është shërbëtor i komunitetit dhe jo padron i tij. Të gjithë ju që aplikoni për t’u bërë pjesë e policisë na mbushni me shpresë se po i ndryshoni fytyrën policisë së Shtetit.
Qytetarët presin shumë nga unë në radhë të parë por edhe nga ju, për të parë një polici më profesionale dhe më të ashpër me shkelësit e ligjit.
Sot do dilni në terren për t’u përballur me vështirësi nga më të ndryshmet. Pyesni veten për çdo veprim: A është në interesin e vendit? A është në përputhshmëri me vlerat morale? Besoni tek vetja, të gjithë do sillni zhvillim aty ku do shërbeni.
Mendoni për t’i shërbyer vendit gjithmonë sot më mirë se dje. Keni mbështetjen time të palëkundur. Zyrën dhe telefonin tim do ta keni gjithmonë të hapur për çdo problem. Të krijojmë një polici, për një popull që vërtetë e meriton.
Urime dhe suksese,” tha Nano.