Intrigat e fshehta në Tatime / Ceno Klosi nuk i bindet Ministres Ibrahimaj

Ceno Klosi është i pesti drejtor i përgjithshëm i Tatimeve që prej 2013-s. Ai pason në këtë post ministren e Financave, Delina Ibrahimaj, që u largua pas emërimit në kabinetin qeveritar.

Por, kanë mjaftuar pak javë që drejtori Klosi të përfshihej në intrigat e luftën e brendshme për poste në këtë institucion, luftë që siç mëson Gazeta Shqip po shkakton kosto në mirëfunksionimin e të gjithë strukturës.

Aq e ashpër është përplasja e brendshme te Tatimet, sa burime të Gazetës Shqip thonë se Ceno Klosi po shpërfill tashmë edhe vetë ministren e Financave, Delina Ibrahimaj, njëkohësisht ish-eprore e tij te tatimet.

Lufta e klaneve ka përshkallëzuar në atë fazë, sa Drejtori Ceno Klosi ka refuzuar në të paktën një rast që t’i japë ministres Ibrahimaj të dhënat e Tatimeve.

Klosi u emërua në këtë post pas largimit të Delina Ibrahimajt. Më herët ai ka mbajtur postin e drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.

Në korridoret e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ai perceptohet si njeri i afërt i zv.Kryeministrit Arben Ahmetajt, që siç duket i ka dhënë edhe statusin e të paprekshimit dhe guximin të largojë nga detyra dy zv.drejtorët e kohës së Ibrahimajt dhe dhjetra inspektorë të tjerë.

Një pjesë e largimeve në fakt janë bërë përmes dorëheqjes nga personat në fjalë, por burime të Gazetës Shqip pohojnë se në të gjitha rastet dorëheqjet nuk kanë qenë vullnetare, por të nxitura dhe detyruara nga drejtori i ri i Tatimeve.

Burime të Gazetës Shqip pohojnë se këto largime po shkaktojnë probleme në mirëfunksionimin e tatimeve, që në këtë periudhë fundviti janë të mbytura me verifikime e kontrolle bilancesh të bizneseve dhe qytetarëve që sipas ligjeve në fuqi duhet të raportojnë pranë saj, përmes zyrave fizike, apo përmes platformave online.

Por, problematika më e madhe që kanë shkaktuar largimet në formën e dorëheqjeve të detyruara dhe shkarkimeve lidhet me fiskalizimin. Në fund të këtij viti është afati i fundit kohor për të gjitha bizneset që të pajisen me aparaturat e reja.

Deri më tani, procesi është ndjekur nga distanca nga Tatimet, që me përfundimin e këtij afati mund të ndërmarrin hapa ligjorë sanksionues, që nga gjoba deri në mbylljen e përkohshme të bizneseve që nuk kanë kryer fiskalizimin.

Megjithatë, burimet e Gazetës Shqip pohojnë se me ndryshimet që janë kryer në strukturë me ardhjen e drejtorit Ceno Klosi, ky mision i Tatimeve është në rrezik për shkak të mungesës së stafit, deri edhe te mungesa e përvojës së stafit që mund të zëvendësojë.

Të njëjtat burime thonë se veç personave që janë larguar deri në fund të muajit nëntor, ka edhe inspektorë të tjerë dhe drejtues strukturash që kanë dorëzuar të detyrën dhe do ta mbyllin punën e tyre në fund të këtij viti për shkak të përplasjeve me drejtorin Ceno Klosi dhe bashkëpunëtorët e ngushtë që ai ka marrë me vete te Tatimet.

Gazeta Shqip

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT