Ish-ministri Koka lihet në burg, reagon avokati: Nuk ka përgjegjësi, gjyqi natyrë politike nga LSI

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) ka dhënë këtë të enjte masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka.
Avokati i Lefter Kokës, Fatmir Braka, foli për mediat pas vendimit të dhënë nga Gjykata, e cila la ish-ministrin e Mjedisit në burg.
“E vërteta është që ai akuzohet për shpërdorim detyre, kur gjithë procedura, gjithë korrespondenca, që ai paraqiti sot është që aty nuk ka asnjë përgjegjësi. Nuk u tha sot nga prokuroria që ka marrë 3.7 milionë euro, përkundrazi dhe për korrupsionin që flitet, duhet provuar që është bërë ky korrupsion. Edhe sot u morëm me veprën penale të shpërdorimit të detyrës si ministër. Nuk ka përgjegjësi Koka si ministër. Nuk është normale që ai të jetë person nën hetim, nuk është pyetur asnjëherë. Fillimi i këtij procesi ka qenë politik. Sot mora vesh që është bërë dhe një shtojcë nga LSI. Pra, është politik. Nuk është normale që një person, ish-ministër, ish-deputet, të merret befas nën hetim e të arrestohet, kur nuk është pyetur asnjëherë. Nuk është absolutisht normale që ish-ministri të merret i arrestuar. Kallëzimi është politik. Do bëjmë ankimin tonë në Gjykatën e Apelit”, tha avokati Braka.
Gjithashtu ai e cilësoi si jo normale që një ish-ministër, ish-kryetar bashkie të lihet në burg, pasi sipas tij, nuk është marrë asnjëherë në pyetje në lidhje me çështjen për të cilën akuzohet.
Mesditën e 14 dhjetorit, SPAK-u lëshoi urdhër-arrestin për Lefter Kokën, i cili shërbeu si ministër i Mjedisit në vitet 2013-2017. Arrestimi i tij ka ardhur pasi u kallëzua penalisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim.