Italia miratoi fondin për pensionet e shqiptarëve, senatori italian: Tani u takon qeverive të përmbyllin marrëveshjen

Italia miratoi në buxhetin e vitit të ardhshëm shumën e nevojshme për njohjen e ndërsjellë të pensioneve me Shqipërinë. Mes politikanëve që ka lobuar më fort në parlamentin italian për këtë nismë është senatori Tommaso Nannicini.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Zona Zero në Top News, senatori italian rrëfeu se çfarë do të thotë kjo.

“Ne e kemi përfshirë në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm. Tani u takon qeverive të dy vendeve që të nënshkruanë marrëveshjen përfundimtare. Ne e bëmë tonën”, tha ai.

Senatori deklaroi se shtysën për këtë nismë e ka marrë nga aktivistë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Itali, ndërsa u shpreh se qeveria e Mario Draghi-t nuk do të jetë pengesë për ta përmbyllur këtë marrëveshje.

Italia ka lidhur marrëveshje dypalëshe të sigurimeve shoqërore me shumë shtete, por ajo me Shqipërinë mungon, pavarësisht se komuniteti shqiptar i Italisë e kërkon prej vitesh si akt drejtësie ndaj qytetarëve të shumtë që kanë paguar rregullisht kontribute në të dy vendet.

Në këtë front ka pasur demonstrata nga të interesuarit direkt si në Tiranë ashtu edhe në Romë dhe komuniteti shqiptar së bashku me sindikatat më të rëndësishme italiane mbështetën peticionin e nisur nga Geri Ballo, nga ku u mblodhën 12 mijë firma dhe më pas ia dorëzuan direkt ministrit të punës Andrea Orlando./Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT