Kaos në PD/ Berisha dhe Basha ndajnë në dysh selinë, organizojnë mbledhje njëkohësisht (VIDEO LIVE)

Një situatë e pazakontë ajo që po ndodh aktualisht në selitë e Partisë Demokratike. Pak më herët, Sali Berisha u shfaq në selinë blu bashkë me mbështetësit e tij.
Ai tha se ka ardhur për të organizuar një mbledhje për Komisionin e Rithemelimit pas Kuvendit Kombëtar të zhvilluar prej tij më 11 dhjetor.
“Basha do jetë anëtar i grupit parlamentar, defakto është i shkarkuar, por më 18 do shprehen për deputetin Basha.
Në zyrën e Bashës nuk futem, nuk kemi punë, sot vijmë për një mbledhje dhe deputeti Basha gjer me datë 18 duhet të mendojë të reflektojë për vendimin e Kuvendit më të jashtëzakonshëm në historinë e këtij kombi ku vullneti i anëtarëve triumfoi në mënyrën më magjike, por shqiptarët panë spektaklin e lirisë.
Unë sot në selinë e PD futem si një nga anëtarët e këtij komisioni, janë të gjithë të barabartë. Vendimet do jua komunikojnë pas mbledhjes,” tha Berisha.
Nga ana tjetër ishte dhe kryetari i Partisë, Lulzim Basha, i cili po zhvillonte mbledhje brenda selisë.
“Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike foli qartë. Edhe më qartë do të flasë Kuvendi Kombëtar më #18Dhjetor. Ne do të zgjedhim të ardhmen, në mbrojtje të vlerave të shenjta të Partisë Demokratike dhe për ta shndërruar atë në forcën qeverisëse që shqiptarët meritojnë,” shkruajti dje Basha./GAZETA SHQIP