Kriza në Ballkan/ Britania e Madhe cakton gjeneralin e Forcave Ajrore si të dërguar të posaçëm

Me shkëputjen nga Bashkimi Europian, Britania e Madhe po i kushton një vëmendje të madhe zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri britanik Boris Johnson ka emëruar sir Stuart Peach si i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.

Në rolin e të dërguarit të posaçëm, Peach do të punojë me liderë të Ballkanit Perëndimor, me zyrtarë tjerë rreth rajonit dhe aleatë të Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë për të mbështetuar dhe forcuar stabilitetin rajonal.

Kryeministri Boris Johnson tha: “Mbretëria e Bashkuar është thellësisht e përkushtuar ndaj sigurisë evropiane. Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë e tyre në më shumë se dy dekada. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur arritjet e arritura përmes paqes dhe dialogut – nuk mund të lejojmë asnjë kthim në dhunën dhe ndarjen e së kaluarës. Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e Sir Stuart do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të promovuar integrimin euro-atlantik në këtë rajon vendimtar”.

Në njoftimin për emërimin e tij është thënë se i dërguari i posaçëm do të punojë në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si dhe do të përkrahë punën e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt në Bosnje.

Peach, i cili mban titullin “Sir” do të marrë detyrën e re pas dorëheqjes nga detyra e shefit të Komitetit ushtarak të NATO-s më herët gjatë vitit, pozitë të cilën e ka mbajtur nga viti 2018.

Ai ka shërbyer më herët edhe si Shefi i Shtabit të Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar. Më 2000, Peach ka qenë edhe komandant i forcës ajrore të NATO-s në Kosovë.

Schmidt ka paralajmëruar se Bosnje-Hercegovina është në rrezik të menjëhershëm për t’u shpërbërë dhe se ekzistojnë gjasa “shumë reale” për rikthimin e tij në konflikt.

Situata e brishtë në rajonin e Ballkanit ka alarmuar vendet Perëndimore dhe më shqetësuese janë zhvillimet në Bosnje-Hercegovinë. Kjo ka bërë që vëmendja të jetë më e madhe, nga fuqitë e mëdha.

Edhe Shtetet e Bashkuara kanë emëruar më herët gjatë këtij viti të dërguarin e ri të posaçëm për këtë rajon. Gabrial Escobar e ka zëvendësuar Matthew Palmerin nga muaji shtator.

Aktualisht Palmer është i dërguar i posaçëm i SHBA-së për reformën zgjedhore në Bosnje-Hercegovinë. Bashkimi Evropian ka të dërguar për këtë rajon zyrtarin, Mirosllav Lajçak./ Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT